Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë reaguar Listës Serbe për mbështetjen që i kanë dhënë nënkryetarit të këtij subjekti politik Milan Radojçiq i cili është në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
Një zyrtar i lartë amerikan, ka thënë se janë në dijeni për deklaratat e fundit të Listës Serbe për Milan Radojçiq dhe i kanë kujtuar Listës Serbe se ai është i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit të shtetit amerikan për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.
“Ne jemi në dijeni për deklaratat e fundit për Milan Radojçiqin. Milan Radojçiq është sanksionuar nga qeveria amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, thuhet në një përgjigje të dhënë për Klan Kosovën.
Ndryshe, sot Lista Serbe nëpërmjet një komunikate është deklaruar se nënkryetari Milan Radojçiq dëshiron t’i mbrojë serbët, për të cilët pretendon se po ‘sulmohen’ nga kryeministri kosovar, Albin Kurti.
“Me lëvizjet e tij të njëanshme, Albin Kurti kërkon të fitojë pikë të lira politike duke ngacmuar popullin duarthatë serb dhe në këtë mënyrë është i vetmi që kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë rajon, i vetëdijshëm se nuk është në gjendje të përmirësojë jetën e shqiptarëve, as të përmbush asnjë premtim të vetëm që ka bërë në fushatë. Ndryshe nga Albin Kurti që me çdo kusht dëshiron kaos dhe të sulmojë serbët, nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, së bashku me Listën Serbe është këtu për të mbrojtur popullin serb nga Prishtina, sepse na duhet paqe në këto kohë krize”, thuhet në komunikatë.
