Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Gjykatën Speciale dhe procesin e formimit të saj.
Deklaratat e presidentes Osmani dhe ministres Haxhiu, aludonin në një person, si përgjegjës për këtë gjykatë, ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se e mbajnë mend kush e ka kundërshtuar rrejshëm dhe kush njëmend Gjykatën Speciale.
“Dje Presidentja e sot Ministrja e Drejtesise janë përkujdesur me na e përkujtu se kush ka bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale. E dijmë dhe e mbajmë mend shumë mirë. Sikurse e dijmë që nuk ka pasur rrugë tjetër pas miratimit të atij raporti monstruoz nga ana e Këshillit të Evropës. Sikurse e dijmë dhe e mbajmë mend kontekstin ndërkombëtar në atë kohë. Sikurse e dijmë dhe e mbajmë mend se kush çfarë qëndrimi ka mbajtur atë botë. Sikurse e dijmë dhe e mbajmë mend se kush e ka kundërshtuar sinqerisht, kush e ka kundërshtuar rrejshëm, kush e ka miratuar si domosdoshmëri, si dhe kush e ka miratuar me entuziazëm, pa fije presioni”, shkruan Çitaku.
Ajo ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së nuk gjenden në Hagë për aktivitetin e tyre politikë dhe kësisoj sipas saj duhet të kalohet inati e urrejtjet politike.
“Sikurse që e kemi parë se raporti i Martit dhe aktakuza e ngritur nuk kanë të përbashkët as pikë e as presje. Sikurse e dijmë që shumë prej nesh kishim me i dhanë krejt vitet e karrierës në politikë për një ditë të tyre në UÇK. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre nuk janë në Hagë për shkak të aktivitetit politik. Ata janë atje si prijës të UÇK-së. Duheni me qenë në gjendje e e tejkalu inatin. Urrejtja nuk është platformë e shëndoshë”, përfundoi ajo.
Ndryshe, në konferencën e sotme për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përgjegjës për Gjykatën Speciale duhet të mbahen ata që ia ndrydhën duart deputetëve kur u themelua në vitin 2016, e jo sipas saj, Qeveria aktuale.
“Gjykatën Speciale e kanë futur në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa votat e 2/3 të deputetëve shqiptarë dhe pa 2/3 e votave të komuniteteve. Siç e dini, edhe Lista Serbe është në Kuvend. Ne e kemi gjetur Gjykatën Speciale si fakt të kryer. Përgjegjës nuk mund të mbahemi ne, përgjegjës duhet të mbahen ata që ia kanë ndrydhur duart deputetëve në kohën kur u themelua. Ata janë që po hedhin tym, por duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu për Specialen: Këta persona duhet të mbahen përgjegjës
Kurse, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dje në konferencën e përbashkët me presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Metë, ka thënë se nuk harron se kush ka insistuar më së shumti që të formohet Gjykata Speciale, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, tha ajo.
Reagimet për deklaratën e Vjosa Osmanit
Lidhur me këto deklarata ka reaguar dje edhe zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu.
Abdullahu përmes një postimi në Facebook e ka quajtur të pa aftë Osmanin që ta mbrojë UÇK-në.
“E kam thënë vite më parë se Ju Presidente, keni qenë një mini Vetëvendosje. E ridëshmuat edhe sot në konferencën për shtyp se keni mbetur e tillë. A nuk patët asgjë më të rëndësishme sot për çka të flisni por për Gjykatën Speciale. Gjetët kohë mu sot në Konferencën mikpritëse të Kryetarit të Shqipërisë z. Meta ta akuzoni ish Presidentin Thaçi. Pse? Pse nuk ju largohet kjo armiqësi së paku tani kur ai dhe të tjerët me te, janë në burg. Pse dëshironi dhe si duket gjeni kënaqësi politike t’i akuzoni edhe më shumë e t’i rëndoni edhe më tepër atje ku janë.” Thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Abdullahu – Osmanit: Pse e shfrytëzuat konferencën me Ilir Metën për ta sulmuar Hashim Thaçin?
Kurse ish-deputeti i PDK-së, Gani Koci, e ka quajtur të pacipë presidenten Osmani pas deklaratave të saj për Thaçin.
“Të mbuloftë turpi Vjosa Osmani! Prej se e zvoglove barkun tu ka rrit gjuha dhe goja. Po vjell e po llapë e nuk po ndalesh edhe sot kunder Hashim Taçit. Hija e Hashim Thaçit ka me të ndjek edhe në anderr. Je e pa cipë!”, shkruan ai në Facebook.
Faton Klinaku nga OVL-UÇK-ja i ka konsideruar absurde deklaratën e Vjosa Osmanit.
“Kur e them unë për Hashim Thaçin dhe Gjykatën Speciale atë që e tha presidentja sot, është e arsyeshme, por kur e thotë presidentja është absurde”, shkruan ai në Facebook.
“Po harron ajo se në “vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë. Shokët në Hagë, me avokatët e tyre, luftën kryesore po e bëjnë që ta luftojnë termin absurd “NDERMARRJE E PERBASHKET KRIMINALE”, dhe është turp për shtetin e Kosovës që e toleron këtë”, përfundon statusi i tij.
Klinaku: Ajo që e tha presidentja sot për Thaçin e Specialen është absurde
Kurse, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkojë nga Osmani që të mos harrojë veprimtarinë e saj kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë kohës kur i takonte një partie tjetër.
“Vjosa Osmani tentoi që t´iu sugjeronte gazetarëve dhe opinionit publik besimin e tyre në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ajo pa u skuqur fare, harroi deklaratat e saj dhe të partnerëve të saj politikë të cilët për një dekadë rresht janë vërsulur mbi çdo vlerë të luftës, kanë akuzuar dhe kanë deponuar dëshmi te rreme kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot si bartës të institucioneve kanë zgjedhur të heshtin sepse po u ditka se në çdo frymëmarrje besojnë „në një të vërtetë: Serbia paska qenë agresori“ shkroi Musliu në postimin e saj./Paparaci.com
