Një punonjës i stacionit Ajror të Rojës Bregdetare amerikane dhe bashkëshortja e tij që jetuan për dekada nën identitetin e dy fëmijëve të vdekur të Teksasit janë akuzuar për vjedhje identiteti dhe komplot kundër qeverisë, sipas të dhënave të gjykatës federale në Hawaii.
Walter Glenn Primrose dhe Gwynn Darle Morrison, të dy në të 60-at, që pretendohet se jetuan për dekada nën emrat Bobby Edward Fort dhe Julie Lyn Montague, u arrestuan në ishullin Oahu.
Fotografitë e vjetra tregojnë çiftin të veshur me uniforma të KGB-së, ish-agjencia e spiunazhit e Rusisë, thuhet në dokumente, raporton AP.
Një i afërm i Morrisonit tha se ajo jetoi në Rumani – kur ishte shtet i bllokut sovjetik.
Por, avokati i saj tha se ajo nuk jetoi kurrë në Rumani, se ajo dhe Primrose i provuan xhaketat ruse për shaka dhe bënë fotografi me to. Edhe nëse çifti përdori identitet të ri, avokati tha se të dy kanë jetuar sipas ligjit për tri dekada.
Prokurorët thanë se ka rrezik të lartë që ata të largohen nëse lihen të lirë, dhe sugjeruan se meqë Primrose ishte teknik elektrik, ai ishte shumë i aftë që të komunikonte në mënyrë sekrete nëse lirohej.
Për një familje emri i fëmijës së vdekur i cili është vjedhur, lajmi u erdhi tronditës.
John Montague që humbi vajzën më 1968 kur kishte vetëm 3 javë, u habit kur mësoi se dikush kishte jetuar me emrin e saj për kaq gjatë.
Nuk ka asnjë tregues në dokumentet e gjykatës pse çifti në vitin 1987 mori identitetin e fëmijëve të vdekur që do të ishin më shumë se një dekadë më të rinj se ata. Por një deklaratë e paraqitur nga agjenti special Dennis Thomas i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit vuri në dukje se çifti humbi shtëpinë e tyre në Teksas.
Pasi morën identitetet e reja, ata u martuan sërish me emrat e rinj që kishin vendosur.
