Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë se ShBA-ja e mbështet Qeverinë e Kosovës në vendosjen e reciprocitetit për targa dhe leternjoftime me Serbinë.
Hovenier, pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, deklaroi se i ka kërkuar autoriteteve kosovare të shtyejë zbatimin e vendimit për 30 ditë.
“SHBA-ja nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Kam pasur takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Osmani dhe ministren e Jashtme, Gërvalla, për të bërë një kërkesë të qartë nga Qeveria e SHBA-së që të shtyhet implementimi i vendimit për 30 ditë. Mendoj se shtyrja e implementimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në BE që të reduktohen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, ka thënë Hovenier.
Në takimin me Hovenier, Osmanin dhe Kurtin, prezente ishte edhe kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.
