Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar mbështetje për kandidatët për kryetar komunash të partisë së tij në rundin e dytë të votimeve.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se të dielën më 14 nëntor, qytetarët pa dallim duhet të bëhen bashkë për të fituar qeverisjet e mira, raporton Paparaci.
“Më 14 nëntor, na duhet mbështetja e juaj, e tillë si në raundin e parë – kur tejkaluat barrierat partiake dhe votuat kandidatët e PDK-së, për ta fituar qeverisjen e mirë në Prizren, Vushtrri, Malishevë e Klinë, ashtu si në Drenas, Kaçanik, Shtime e Dragash, me kryetarë që punojnë ndershmërisht dhe për të gjithë”.
“Prandaj, le të bëhemi bashkë të dielën për fitoren e radhës, në numrin 177, për të qeverisur në katër vjetët e ardhshme, bashkë për Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi.
Kujtojmë se PDK është në balotazh në tetë komuna, Prizren, Vushtrri, Malishevë, Klinë, Drenas, Kaçanik, Shtime dhe Dragash./ Paparaci
