Prokuroria Themelore e Ferizajt ka dhënë detaje për aksionin kundër ndërtimeve pa leje që po zhvillohet sot në Brezovicë.
Nëpërmjet një komunikate për media bëhet e ditur se ky aksion po kryhet në koordinim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Minsitrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensinë Kadastrale të Kosovës.
Tutje shtohet se aksioni është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme, raporton Paparaci.
“Qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin. Lidhur me këtë rast, në vendin e ngjarjes ndodhet edhe Prokurori i Shtetit”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë.
