Osman Atalay, anëtar i bordit të organizatës humanitare turke “IHH”, e cila është e afërt me presidentin Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e shamisë.
Ai përmes një shkrimi në Twitter, e ka publikuar deklaratën e Kurtit, duke thënë se “shamiat nuk duhet të ndalohen në jetën publike të qytetarëve të Kosovës”.

Gazetari Vehbi Kajtazi, në mars të vitit 2021 kishte folur në lidhje me marrëdhëniet e Albin Kurtit me Turqinë, e specifikisht me një person si Osman Atalay.
Megjithatë, gazetari Kajtazi kishte dhënë detaje se, Osman Atalay kishte dënuar vrasjen e Osama bin Ladenit.
Pikërisht në ditën e vrasjes së Osama bin Ladenit, Atalay kishte mbajtur konferencë për media, ku edhe e kishte konsideruar akt terrorist vrasjen e tij nga SHBA-ja.
“Për mua cka është më e rëndë, ky njeri, Osman Atallai që e drejton këtë organizatë ka mbajtur konferencë për shtyp në ditën e vrasjes së Osama bin Ladenit, dhe e ka konsideruar akt terrorist vrasjen e Osama bin Ladenit nga ShBA-të, dhe e ka cilësuar Amerikën terroriste dhe e ka glorifikuar figurën e Osama bin Ladenit”, ishte shprehur gazetari Vehbi Kajtazi.
Organizata të cilën e udhëheq Atalya është themeluar në kohën e luftës së Bosnjës
Kurti dhe Atalay janë parë disa herë bashkë. Madje gjatë një vizite të Kurtit, atë kohë opozitë, Atalay ishte parë në të gjitha takimet bashkë me të.
Ndryshe, IHH është organizatë humanitare e themeluar në vitin 1992 e cila thuhet se vepron në 135 shtete të botës.
Në fotografitë e shumta nga takimet, Osman Atalay, herë dukej si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga Kurti, e herë duket në cilësi të delegacionit mikpritës.

Kryeministri Albin Kurti sot u pyet për çështjen e bartjes së shamisë nëpër shkolla – një temë që u aktualizua prapë pas nisjes së një kampanje që kërkon ndryshimin e udhëzimit administrativ që e ndalon atë.
Ai tha se shamia duhet lejuar në shkolla, por megjithatë ai tha se si prag moshe e konsiderojnë atë 16 vjeçare.
