Skuadra e Ballkanit ka shkruar historinë në debutimin e tyre në garat evropiane, duke arritur kualifikimin në fazën e grupeve të UEFA Conference League. Kjo është hera e parë që një skuadër kosovare arrin një nivel të tillë.
Kampioni i Kosovës arriti ta eliminonte kampionin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, pasi arriti fitore në dy ndeshjet e zhvilluara mes tyre.
Ndeshjen e parë në Shkup e kishte fituar me rezultat 1:2, kurse sot në Prishtinë arriti fitore me rezultat 1:0.
Sikurse në kryqytetin maqedonas edhe në atë kosovar, hero ishte Meriton Korenica.
Korenica shënoi golin e fitores në minutën e 69-të, pas asisitimit të Albion Rrahmanit.
Ballkani kishte epërsinë numerike nga minuta e tretë e ndeshjes, pasi Shkupi mbeti me një futbollist më pak, raporton Paparaci.
Therandasit krijuan edhe mundësi tjera shënimi, mirëpo ndeshja u mbyll vetëm me golin e Korenicës.
Ballkani fillimisht kishte nisur garat në eliminatore e UEFA Champions League, ndërsa pas eliminimit i ishte dhënë edhe një rast i dytë në UEFA Conference League.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Ilir Daja kishte eliminuar La Fioritan, Klaksvikun dhe tashmë Shkupin për të siguruar inkuadrimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Për Ballkanin ishte hera e parë pjesëmarrja në garat evropiane, ndërsa në debutimin e tyre ka arritur nivelin më të lartë që ka arritur ndonjë skuadër kosovare. /Paparaci.com

