Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti iku pa u komentuar, pa u dalluar, pika që e bëri të pranueshme për presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin marrëveshjen për dokumentet e identifikimit (ID).
Sipas tij, problemi fillon kur kjo pikë bëhet pozicion zyrtar edhe i shtetit tonë, ndërsa u shpreh se kjo qeveri legalizoi dokumentet ilegale, të vulosura nga Serbia.
Ai shtoi se letërnjoftimet në fjalë e trajtojnë Kosovën si pjesë të brendshme të Serbisë.
“A nuk është ky cenim dhe degradim? Por në fund të ditës, këto marrëveshje të pjesshme nyjëzohen tek Asociacioni etnik. Prej deklaratave që nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës e deri te pozicioni që njeh dokumentet ilegale është kapërcim i madh. Zhvillim dramatik”, shkroi ai duke e quajtur këtë kompromis të fshehur nga ana e pushtetit.
“Deklarata publike nga Kurti, Bislimi dhe Konjufca se nuk bëhet fjalë për Asociacion, kur bisedohet me Serbinë, i mori uji. Pozicioni i Kosovës kundër Asociacionit po tretet. Mbase kurrë nuk paska qenë. Dhe krejt kjo në emër të normalizimit të marrëdhënieve”, theksoi ish-deputeti.
“Por çka po normalizohet? Ky term nuk është neutral. Në këtë situatën po normalizohet mosnjohja, po përjetësohet tensioni dhe po ruhet konflikti. Zhurma e festës së propagandës nuk mund as t’i kompensojë, as fsheh humbjet”, përfundoi ai në një postim në Facebook.
