Presidentja, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin kibernetik që Irani ka bërë ndaj faqeve qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania më 15 korrik.
Ajo në Twitter ka shkruar se qëndrojnë me qeverinë shqiptare, teksa ka kërkuar nga Irani të përgjigjen për siç shkruan ajo “veprimin e paprecedentë”.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmin keqdashës kibernetik ndaj infrastrukturës kritike të Shqipërisë. Ne qëndrojmë me presidentin Bajram Begaj dhe qeverisë shqiptare dhe i bëjnë thirrje Iranit të përgjigjet për këtë veprim të paprecedentë”, shkruan ajo.

Ndryshe, Qeveria e Shqipërisë sot ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke e fajësuar për sulmin masiv kibernetik të 15 korrikut.
Vendimin drastik e ka bërë me dije Kryeministri Edi Rama gjatë një video mesazhi.
Kryeministri tha se qeveria i ka dërguar notë zyrtarë ambasadës së Iranit dhe i ka kërkuar largimin brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë.
“Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike te Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë. Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”, tha Rama.
Bazuar në hetime Rama u shpreh se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.
“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, shtoi kryeministri.
Megjithatë kryeministri Rama tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë.
“Në 15 Korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, u shpreh më tej kreu i qeverisë shqiptare.
