Deputetja e koalicionit qeverisës, Duda Balje, e ka vënë në pikëpyetje bashkëpunimin e saj me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, teksa të martën ka takuar Lumir Abdixhikun, liderin e opozitës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka pritur kryetaren e SDU-së, njëkohësisht deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është në koalicion qeverisës bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas njoftimit, Abdixhiku me Baljen diskutoi për situatën politike në vend si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe SDU-së.
“Gjatë këtij takimi, kryetari Abdixhiku vlerësoi lartë kontributin e komunitetit boshnjak në proceset shtetndërtuese të Kosovës, ku shtoi se duhet të vazhdojmë të punojmë fuqishëm për përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Unioni Social-Demokrat (SDU) e Duda Baljes lidhen marrëveshje koalicioni pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, 2021.
Megjithatë, ata nuk kanë rezultuar partnerë aq të mirë për njëri-tjetrin në më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, të kryesuar nga Lëvizja Vëtëvendosje, me Albin Kurtin kryeministër.
Balje ka kundërshtuar në Kuvendin e Kosovës disa iniciativa ligjore të qeverisë, përfshirë edhe Projekt-Kodin e ri Civil. /Paparaci.com