Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka dhënë detaje rreth sulmit seksual të alpinistes Mrika Nikçi.
Ai tha se rasti ka ndodhur më 27 shtator dhe pas sigurimit të videoincizimeve është arritur të identifikohet personi, i cili më pas është arrestuar.
“Rasti ka ndodhur më datën 27 shtator, ndërkaq pasi është raportuar rasti kanë qenë të angazhuar dy prokuror të shtetit dhe njësitë relevante policore, me ç’rast pas sigurimit të videoincizimeve është arritur të identifikohet personi më pas është arrestuar dhe është dërguar në ndalim 48 orësh, besoj që nesër prokurori i shteti do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe gjyqtari i procedurës paraprake duhet të mbajë seancën brenda 48 orëve”, tha Nikçi në Klan Kosova
Ai u shpreh se me aq sa ka informacione, i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale.
“Zonja Mrika ka pasur një guxim të jashtëzakonshëm që e ka publikuar këtë video. Publikimi ka ndodhur pas arrestimit, pra disa orë pas arrestimit të tij. Ajo çfarë është parë është shokuese dhe besoj që prokurori i shtetit së bashku me njësitet relevante policore do të bëjë veprimet hetimore që të ndriçohet kjo çështje penale më plotëni dhe në koordinim edhe me gjykatën besoj që do të caktohet edhe masa e paraburgimit. Aq sa kam unë informata, i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale, mirëpo ky veprim ka qenë shokues, për shkak se është e papranueshme sjellja dhe mënyra se si është kryer kjo vepër penale”, tha tutje ai.
