Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka konfirmuar se qeveria e tij po merr pjesë në luftën në Ukrainë, duke mbështetur Rusinë.
Gjatë shtatë muajve të luftës, ekzekutivi bjellorus kishte bërë një përpjekje për të sqaruar shkallën e përfshirjes së tij në ofensivën ushtarake të orkestruar nga Putin. Megjithatë, sot Bjellorusia pranon se po merr pjesë në luftë.
“Ne po marrim pjesë në të. Nuk e fshehim. Por, ne nuk kemi vrarë askënd, nuk kemi dërguar ushtarë askund”, tha Lukashenko, i cili shpjegoi se përfshirja e Bjellorusisë është “e kufizuar” për momentin, vetëm për të “parandaluar përhapjen e konfliktit në territorin bjellorus” ose për të parandaluar një sulm të mundshëm nga Polonia, Lituania dhe Letonia.
Presidenti bjellorus ka theksuar se për momentin “nuk ka asnjë emergjencë” që prek Bjellorusinë, por ai e ka bërë të qartë se është në anën e Rusisë në atë që ai e ka përshkruar gjithashtu si një “operacion të veçantë ushtarak”, transmeton a2news.
