Kandidatja për presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, në tubimin në Vushtrri ka folur për sfidat socio-ekonomike, emigrimin e të rinjve, rolin e grave dhe rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Osmani tha se shumë familje në këtë qytet po përballen me vështirësi ekonomike dhe largim të të rinjve nga vendi.
“Por ta themi shumë sinqertë, sot përderisa flasim, shumë familje në Vushtrri përballen me sfidën e mbijetesës, përballen me sfidën e migrimit, largimit nga vendi ynë. Shumë të rinj e të reja nga ky qytet i jashtëzakonshëm ende ndjejnë se ëndrrat e tyre duhet të kërkohen jashtë vendit e jo këtu në Kosovë. Prandaj, kjo duhet të ndryshojë!”, ka thënë ajo.
Ajo theksoi se ndryshimi kërkon angazhimin e të gjithëve, veçanërisht për krijimin e mundësive për të rinjtë dhe familjet.
“E për ta ndryshuar, na duhet ndihma juaj. Na duhet ndihma e secilit prind, secilës nënë e secilit babë, i cili e dash- dëshiron fëmijën këtu në Kosovë, pranë familjes, por me të ardhme të ndritur.
Na duhet ndihma e të gjithë të rinjve, të cilët janë lodhur me premtime boshe e kërkojnë investime, investime dhe investime—projekte të mëdha me ambicie të mëdha, të cilat ne kemi krenarinë të na i udhëheqë një kandidat i jashtëzakonshëm për kryeministër, Lumir Abdixhiku, të cilin ju ftoj të gjithëve ta përkrahni!”, u shpreh Osmani.
Osmani vlerësoi rolin e grave në shoqëri dhe ekonomi, duke thënë se kontributi i tyre shpesh nuk vlerësohet sa duhet.
“E në qendër të këtij vizioni janë edhe gratë e Vushtrrisë. Ju gra, të cilat kontribuat aq shumë përgjatë historisë, por kurrë, kurrë nuk kërkuat lavd për punën, për kontributin dhe për sakrificën tuaj. Nëna, motra e vajza që mbajnë familjen, e shpeshherë mbajnë edhe ekonominë e këtij qyteti pa u parë e pa u vlerësuar sa duhet. Ne besojmë për gratë, besojmë në një Kosovë ku Vushtrria asnjëherë nuk mbetet pas, por ecën në ballë të proceseve, ashtu qysh kjo ka hije, ashtu qysh keni ecur historikisht”, tha ajo.
Osmani gjithashtu theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.
“E bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse as zhvillimi, as ekonomia e as siguria nuk ndërtohen vetëm”, deklaroi ajo.
Ajo nënvizoi edhe rëndësinë e aleancave në kohë sfidash.
“Edhe shtetet shumëfish më të mëdha se Kosova kërkojnë aleatë, kërkojnë miq, kërkojnë partnerë që do t’ju qëndrojnë në krah në momentet më të vështira. Dhe ashtu siç e thashë edhe në Mitrovicë para disa ditëve: Nuk ka forcë më të madhe sesa t’i kesh afër miqtë atëherë kur të sulmojnë armiqtë. Kjo është forca më e madhe e cilido shtet”, tha Osmani.
Ajo rikujtoi edhe rolin e bashkëpunimit me SHBA-në në ndërtimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, përfshirë Akademinë Policore në Vushtrri dhe mbështetjen në ruajtjen e kufijve të vendit.
“E ky qytet i ka dhënë Kosovës, siç e thashë, edhe bijtë e bijat e veta më të mira. Pikërisht këtu ku u ndërtua Akademia Policore në Vushtrri, me ndihmën dhe lidershipin amerikan, pikërisht këtu u trajnuan policë e police, disa prej të cilëve edhe e dhanë jetën duke i mbrojtur kufijtë e Kosovës. E shumë të tjerë sot e mbrojnë kufirin Kosovë-Serbi, edhe në veri edhe në lindje—gati 400 kilometra kufi mes shtetit tonë dhe fqinjit të keq, e ruan Policia e Kosovës bashkë me ushtarakun amerikan”, tha ajo.
