SHBA-ja për kohë të gjatë ka paralajmëruar se Kosova do të zhytej në ndikimin rus të energjisë nëse do të refuzonte projektin amerikan të gazit. Kurti me të ardhur në pushtet i refuzoi këto projekte amerikane në favor të tregtisë së energjisë nga Serbia që i kanë kushtuar Kosovës gati 1 miliardë euro në pesë vjetët e fundit. SHBA-ja edhe një herë ia ka kujtuar se projekti i gazit amerikan është në tavolinë, por jo për shumë gjatë. Ndërkaq, Kurti nuk e ka në planprogram.
Pak kohë pasi kishte ndalur projektin gjigant për termocentralin “Kosova e Re”, investim amerikan që synonte të ndërpriste ndikimin rus në Ballkan, kryeministri i sapozgjedhur atë kohë, Albin Kurti, kishte tronditur për herë të dytë SHBA-në, kur vendosi ta refuzonte edhe projektin e saj për furnizim me gaz natyror.
Ngadalë, Kurti po realizonte synimet e tij të fshehta që Kosova të varej tërësisht nga importimi i energjisë elektrike, për të cilin do të kujdeseshin shumë kompani tregtare të afërta me të dhe që më vonë doli se kanë fituar miliona euro në shitblerje të rrymës. Blerja e energjisë elektrike u bë kryesisht nga Serbia. Këtë e dëshmojnë edhe transaksionet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të cilat i zbuloi Paparaci në vitin 2023 në një hulumtim të gjerë për tregtinë e energjisë nga Serbia.
Në verën e vitit 2021, Qeveria e Kurtit refuzoi projektin madhor amerikan për ndërtimin e rrjetit të gazit natyror. Ky projekt ishte mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit. Projekti për ndërtimin e infrastrukturës do të bëhej me MCC-në me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Kostoja do të shkonte deri në 600 milionë euro.
Qeveria e prirë nga Kurti deklaroi se ndërtimi i këtij projekti nuk është ekonomikisht i favorshëm, ndaj vendosi të tërhiqej. Mirëpo në katër vjetët e fundit, Kosova e qeverisur nga Kurti, ka shpenzuar deri në 750 milionë euro në blerje të energjisë elektrike
Ndërkaq, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, për periudhën 1 janar 2021 deri më 31 mars 202, Kosova ka blerë energji deri në 923 milionë euro.

Nga tabela mujore shihet se muaji më i kushtueshëm në të gjithë periudhën është janari i vitit 2022 me mbi 52 milionë euro.
Në vitin 2025, tremujori i parë ka kushtuar rreth 126 milionë euro, pothuajse gjysma e shpenzimeve vjetore.
Mesazhi i Prattipatit
SHBA-ja nëpërmjet të ngarkuarës me punë në Ambasadën e saj, Anu Prattipatit, edhe një herë ia ka kujtuar Kosovës së prirë nga Kurti se duhet t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror. Prattipati ka konstatuar se Kosova po përballet me varësi në rritje nga importi i energjisë elektrike.
Sipas saj, Kosova nuk po arrin të përmbushë kërkesat gjithnjë e më të larta për furnizim me energji. Prattipati thekson se, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për import të energjisë gjatë katër viteve të fundit.
Ajo vëren se kostoja e importeve është rritur ndjeshëm, nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkruan Prattipati.
Diplomatja amerikane argumenton se një zgjidhje afatgjatë do të ishte përfshirja e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm amerikan.
Sipas saj, “gazi natyror i lëngshëm amerikan do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji” dhe do të forconte partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së.
Ajo e lidhi sigurinë energjetike drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
“Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare”, thekson Prattipati.
Një element tjetër i rëndësishëm në argumentimin e Prattipatit është faktori kohë. Sipas saj, projektet energjetike kërkojnë vite për t’u realizuar dhe mundësia që Kosova të lidhet me infrastrukturën ekzistuese rajonale nuk do të mbetet e hapur pafundësisht. Nëse vendi vonohet, furnizimet dhe investimet amerikane mund të orientohen drejt tregjeve të tjera.
Planprogrami i Kurtit pa Amerikën
Në anën tjetër, programi energjetik i kryeministrit Albin Kurti nuk e përmend integrimin e Kosovës në projektet amerikane të gazit natyror. Strategjia e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje fokusohet kryesisht në modernizimin e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, rritjen e kapaciteteve të energjisë së erës dhe asaj diellore, investimet në bateri për ruajtjen e energjisë dhe integrimin rajonal të tregut të energjisë elektrike.
“Për siguri të furnizimit, do të vazhdojmë investimet në njësitë e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat rrisin kapacitetin e tyre për së paku 20 vite dhe do të ulin ndotjen, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Me modernizimin dhe vendosjen e filterëve që tashmë janë duke u realizuar, kapaciteti prodhues i termocentralit “Kosova B” po rritet për së paku 20%, emetimet e pluhurit do të ulen për 97%, ndërsa emetimet e oksideve të azotit ulen për 75%.
Ndërsa, me rehabilitimin e thellë të njësive të termocentralit “Kosova A”, kapaciteti prodhues do të rritet për 60%”, ka thënë Kurti në prezantimin e planprogramit të partisë së tij para 10 ditëve.
Programi parashikon që Kosova të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike dhe që mbi 93 për qind e konsumit të mbulohet nga burimet vendore. Edhe pse përmendet planifikimi i gazifikimit të qymyrit si teknologji e re, nuk ka referenca për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror apo për përfshirjen në projektet amerikane të GNL-së.
Rreziku nga ndikimi rus
Refuzimi i Kurtit për gazin amerikan u bë në kohën kur Evropa po bënte përpjekje që të shkëputej nga varësia e gazit rus dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po pozicionoheshin si furnizuese strategjike në Ballkan.
Ky vendim është një prej lëkundjeve më të mëdha të orientimit strategjik të Kosovës që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.
Projekti i MCC-së parashihte financimin e një interkonektori gazi që do ta lidhte Kosovën me sistemin ndërkombëtar përmes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke krijuar kushtet për importimin e gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) nga terminalet Greqi ose në të ardhmen nga Vlora, Shqipëri.
Ky investim nuk do të krijonte vetëm infrastrukturë, por do të sinjalizonte përfshirjen gjithnjë e më të madhe të SHBA-së në arkitekturën energjetike të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Kurtit e refuzoi me arsyetimin se Kosova nuk ka treg të brendshëm as infrastrukturë të gatshme.
Për SHBA-në, projekti “Kosova e Re” kishte interes politik sepse po parandalohej ndikimi i Rusisë në Ballkan.
Për amerikanët ekzistonte rreziku i shtrirjes së ndikimit rus në Kosovës nëpërmjet investimeve në energji.
Rreziku që po e parashikonte SHBA-ja për Kosovën
Më 23 tetor të vitit 2019, në një dëshmi në nënkomitetin e Senatit amerikan për Evropën dhe bashkëpunim të sigurisë rajonale përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer kishte thënë se termocentrali “Kosova e Re” ishte investim strategjik amerikan që do të ndalonte shtrirjen e ndikimit rus në Kosovë.
Kur kishte raportuar para Ron Johnson, senatorit të Wisconsin, Palmer kishte thënë se pa Kosovën e Re, shteti i vogël ballkanik do të detyrohej të merrte energji që mund të vinte nga Rusia.
“Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të marrë në konsideratë alternativa që përfshijnë energjinë me burim nga Rusia”, kishte thënë Palmer.
Sipas Palmerit, shumë shtete të Ballkanit dhe pjesa më e madhe e Evropës Juglindore preken drejtpërdrejt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi me energji nga Rusia.
“Ato [shtete] të cilat janë gazifikuar, mbështeten pothuajse ekskluzivisht nga furnizimi rus”, kishte thënë Palmer gjatë dëshmisë së tij para nënkomitetit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme.
Për të ndaluar shtrirjen e ndikimit rus në Kosovë, sipas përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit, duhet të ruhet pavarësia energjetike e Kosovës – të përdoret linjiti.
“Për të ruajtur pavarësinë e saj energjetike, Kosovës i duhet një gjeneratë e re, dhe ‘Kosova e Re’ është opsioni më praktik, më efikas dhe më i mundshëm. Mbështetja e këtij projekti është tërësisht në interesin e Shteteve të Bashkuara”, kishte thënë Palmer.
I pyetur në lidhje me koston e Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimin e Bankës Botërore për të mbështetur këtë projekt, Palmer kishte thënë se ky projekt ndërlidhej edhe me sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Përveç kostos, siguria kombëtare afatgjatë e Kosovës varet nga sigurimi i furnizimit të plotë dhe të besueshëm të energjisë”, u shpreh Palmer në Nën-komitetin për Evropë dhe Bashkëpunim të Sigurisë Rajonale të Senatit.
Marrëveshja komerciale ndërmjet Contour Global dhe Qeverisë së Kosovës u nënshkrua më 20 dhjetor të vitit 2017.
Termocentrali “Kosova A” do të çaktivizohej dhe zëvendësohej me termocentralin “Kosova e Re” në periudhën 2020-2023.
Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohet të ndërtohet në vitin 2019, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të jetë 40 vjet.
Kosova llogaritet se ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike./Paparaci.com.
