Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi se per herë të parë, është krijuar baza ligjore për emërimin e komisionarit parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si organ për shqyrtim të ankesave të personelit ushtarak.
Mehaj shkroi të dielën në Facebook se Ligji për komisionarin për FSK-në, ka një varg detyrash dhe përgjegjësish.
Ai përmendi se ndër to është ruajtja e disiplinës dhe e respektimit të ligjeve brenda FSK-së.
“Ligji për Komisionarin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka për qëllim përcaktimin e kompetencave, detyrave dhe përgjegjësive, procedurën e përzgjedhjes, emërimit dhe shkarkimit të Komisionarit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si organ i pavarur i Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili ka për qëllim fuqizimin e kontrollit parlamentar, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut për personelin ushtarak në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjë që do të kontribuoj në mirëmbajtjen e disiplinës dhe respektimit të ligjeve brenda FSK-së si elemente kyç të një ushtrie të konsoliduar”, shkroi ministri Mehaj.
