Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” dhe “Faik Konica”, kanë lajmëruar se do respektojnë vendimin e MAShT-it dhe nga nesër do të fillojnë zëvendësimin e orëve të humbura.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kishte kërkuar zëvendësimin e orëve të humbura për shkak të grevës në arsim, mirëpo me vendimin e Nagavcit nuk ishte pajtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
SBAShK-u ka kundërshtuar vendimin e ministres, Arbërie Nagavci, për ndryshime të kalendarit shkollor, duke thënë se mësimi nuk do të mbahet të shtunën e 15 tetorit, siç parashihet në vendimin e ri.
Përkundër gjithë polemikave shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” dhe “Faik Konica”, kanë njoftuar se nesër (e shtunë) do të zëvendësojnë orët e humbura.
“Lajmërohen nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU ‘Ismail Qemali’ Prishtinë, se të shtunën, me 15.10.2022 do të mbahet procesi mësimor me orar të ditës së enjte, në bazë të Vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Nr. 013/453, për kompensimin e ditëve të pambajtura si pasojë e grevës së mësimdhënësve”, thuhet në njoftimin e publikuar nga shkolla “Ismail Qemali”

Kurse shkolla fillore “Faik Konica”, ka publikuar orarin e plotë për të gjitha të shtunat që do zëvendësohen.
