Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë një person me inicialet M.M., i nacionalitetit serb, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Arrestimi është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton Paparaci.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.M., dyshohet si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘’Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ në vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Po ashtu, i njëjti që nga fillimi i vitit 2019, ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, edhe pse ka pasur Urdhërarrest në fuqi, dhe më datë 19.10.2022, në orët e mbrëmjes është arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të njëjtit do të vazhdohet me procedurat sipas Kodit të Procedurës Penale, ku brenda afateve ligjore do të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që procedura penale të vazhdoj pa pengesa.
