“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është krijuar për arsye politike dhe pas saj qëndron politika e thellë, kompromise që duhet të pranohen nga njëra apo tjetra palë, pra të dyja palët. Asociacioni nënkupton fundin e institucioneve serbe, pra institucioneve të Serbisë në Kosovë”, ka thënë “ish-guvernatori i Kosovës” i emëruar nga krimineli Sllobodan Millosheviq, Momçilo Trajkoviq, në një forum në Mitrovicë, transmeton Paparaci.
“Kjo lojë u pranua dhe serbët gjithashtu e pranuan lojën duke u pajtuar me marrëveshjen e Brukselit”, pretendon ai. “Serbëve iu kërkua që të japin legjitimitet të gjitha ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme që u miratuan”.
“A janë brenda apo jo, me pjesëmarrjen në parlamentin e Kosovës përfaqësuesit e serbëve japin legjitimitet dhe kjo është një politikë marrëveshjeje më e gjerë. Pas Asociacionit nuk qëndron kërkimi i zgjidhjes për popullin serb, por kërkimi i zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje pa dhimbje dhe ky është problemi tani”, pretendon ish-shërbëtori i Millosheviqit.
Duke e përkujtuar opinionin se vetë Asociacionit duhet të formohet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ai ka thënë se dikur edhe Aleksandar Vuçiq edhe Hashim Thaçi, përveç problemit të përbashkët, kishin edhe një lloj “pikëpamjesh të përafërta” për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“Mendoj se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është krijuar për ta definuar Republikën e Kosovës deri në fund dhe të jetë guri i fundit në themelin e shtetit të pavarur të Kosovës”, pretendon Trajkoviq dhe shton.
Fatkeqësisht, kjo nuk thuhet hapur, por populli po manipulohet.
Ai gjithashtu beson se për Asociacionin është paraparë edhe një rol tjetër, i cili është që përfundimisht t’i transferojë dy kompetenca, për serbët në Kosovë, shumë të rëndësishme – arsimin dhe shëndetësinë – tek institucionet e Kosovës./Paparaci
