Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë përpjekje serioze për të ecur në rrugëtimin evropian dhe kjo mbetet një prioritet për ne.
Kështu ka deklaruar, kancelari gjerman, Olaf Scholz, nga konferenca e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenten e Komisionit Evropion, Ursula von der Leyen.
Ai nga aty u shpreh se 3 marrëveshjet e nënshkruara do të ndihmojnë në ecjen përpara të qëllimeve të rajonit Ballkanit.
“Tregohet serioziteti i vendeve të Ballkanit Perëndimor për vlerat e Ballkanit Perëndimor”.
Scholz theksoi se 6 vendet kanë rënë dakord që të punojnë më ngushtë në fushën e energjetikës.
Kancelari gjerman tha se Gjermania do ta mbështesë Procesin e Berlinit. Ai premtoi gjithashtu se do të ketë organizime të tjera të këtij lloji.
Ndërsa von der Leyen u shpreh se “Procesi i Berlinit do të jetë në duar të sigurta” pasi vitin tjetër e organizon Shqipëria.
Konferenca për shtyp erdhi pas firmosjes së 3 marrëveshje nga liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit.
Ato parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione.
Agjenda do të ketë në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në samit gjithashtu do të trajtohet iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.
Ndërkohë disa javë më parë, u zhvillua edhe takimi i ministrave të Jashtëm në formatin e të ashtuquajturit procesi i Berlinit.
Temat ishin furnizimi me energji, siguria kibernetike dhe agjenda e përbashkët e gjelbër.
Procesi i Berlinit u nis nga Gjermania në vitin 2014 nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel.
Ai synon të afrojë gjashtë vendet e Ballkanit dhe t’i përgatisë së bashku për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Të gjitha vendeve iu premtua kjo në vitin 2003.
