Të fundit

Petkoviq: Ideja e Kurtit për Shqipëri të Madhe do të thotë luftë

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, në vazhdën e propagandës së tij kundër Kosovës, vazhdimisht është duke përsëritur të njëjtën pyetje se “si nuk është i mundur formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës”, ndërsa, sipas tij,” Kurti angazhohet për Shqipërinë e Madhe”.

Ai në një postim në Facebook, i përsëriti kërcënimet  ndaj Kosovës dhe në mungesë të argumenteve, përsëri merret me krahasimin e formimit të Asociacionit me Shqipërinë e Madhe.

“Si nuk bën ASK, e ndërsa bën Shqipëria e Madhe? Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ndaj deklaratave “të rrezikshme” të Kurtit!

Komuniteti ndërkombëtar më në fund duhet të fillojë të reagojë ndaj deklaratave të rrezikshme dhe luftarake të Albin Kurtit për konceptin fashist të Shqipërisë së Madhe, që nënkupton bashkimin e krahinës jugore serbe me Shqipërinë. Dhe ky reagim i bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë vendimtar, para se Kurti të mendojë se heshtja do të thotë miratim dhe se ka dritë jeshile për ta tërhequr rajonin në një spirale të re konflikti”, kërcënon edhe një herë Petkoviq.

“Paralajmëroj se kërcënimet e ri vizatimit të njëanshëm të kufijve nënkupton konfliktin dhe se ato mund të nxisin aspirata të ngjashme në rajon.

Edhe pse goja e Kurtit është plot paqe dhe stabilitet, ai e di se krijimi i të ashtuquajturës Shqipëria e Madhe nënkupton destabilizimin fatal të rajonit dhe shkaktimin e një efekti domino me pasoja të paparashikueshme.

Nuk mund të ketë referendum paqësor dhe demokratik për krijimin e Shqipërisë së Madhe, sepse ata që do të votonin në atë referendum nuk e kanë në dispozicion Kosovën dhe Metohinë dhe do të kishin kundër tyre një shumicë të njerëzimit që përkrah të drejtën ndërkombëtare.

Ata që e mbështesin Kurtin në idetë fashiste dhe ekspansioniste, duhet të mendojnë mirë se çfarë dhe kur mbështesin dhe në çfarë çon një politikë e tillë. Sepse qëllimet më të mira të Kurtit tregojnë më së miri se ai refuzon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe me gjithë zemër pranon dhe kërkon Shqipërinë e Madhe, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore, si projekt fashist, çoi në shfarosjen e një numri të madh serbësh, duke kryer krime të papara.

Serbia dhe populli serb do ta ruajnë stabilitetin e rajonit deri në frymën e fundit, por Kurti është padyshim një njeri me qëllime të ndyra dhe të rrezikshme dhe kukulla  e qendrave të fuqishme të cilën sërish duan që në Ballkan të luajnë lojëra luftarake”, përfundon kërcënimin e hapur, Petar Petkoviq.

Kujtojmë se Kurti në një intervistë të bërë së fundmi me revistën online “Monocle”, deklaroi se do ta votonte bashkimin me Shqipërinë nëse do të organizohej referendum demokratik e paqësor./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci