Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë me tri thirrje ndaj krerëve të institucioneve të Kosovës, pasi të hënën nuk pati marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Ai i bëri thirri kryeministrit Albin Kurti që ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.
Ndërkohë, ai i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situatës së krijuar.
Po ashtu, ai i kërkoi presidentes Vjosa Osmani të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.
“I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd. Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve”, shkroi ish-kryeministri në Facebook.
