Atë që nuk e “arriti” kryeministri Albin Kurti, të hënë në Bruksel, e bëri zëvendësi i tij Besnik Bislimi të mërkurën. Kosova e Serbia tashmë kanë arritur ujdi për çështjen e targave. Këtë e njoftoi kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pas disa orëve të bisedimeve, raporton Paparaci.
Sipas tij, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
Por kryeministri, Albin Kurti, insistonte pothuajse në çdo deklarim se nuk do të ketë targa ilegale në Kosovë.
Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mes tjerash ka sulmuar diplomatin spanjoll duke lënë të nënkuptohet se po sabotonte planin e ashtuquajtur ‘franko-gjerman’, që për shefin e qeverisë ka një bazë të mirë.
“Nuk mund të shkojë kryeministri në Bruksel me prioritet targat. Ata hoqën dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian. Kur unë i thashë Borrellit në Paris se (ky është) propozim frankogjerman… ai tha nuk është propozim franko-gjerman por propozim i Bashkimit Evropian. I thashë në rregull z. Borrell, tash e tutje do ta quajmë propozim të Bashkimit Evropian. Si bëhet tash që Bashkimi Evropian thotë, po merremi vesh veç për targat?” – u shpreh të mërkurën kryeministri Kurti.
Në një deklaratë të para disa javësh, pas fjalës së tij në Samitin e Ballkanin Perëndimor që u mbaj në në Prishtinë, Kurti tha se afati përfundimtar i legalizimit të targave është me 31 tetor derisa edhe një herë u bëri thirrje qytetarëve serbë që t’i ndryshuar targat ilegale në “RKS”.
Kurti tha se këto masa nuk janë kundër serbëve, përkundrazi pro serbëve, sepse sipas tij, serbëve u ofrojnë lehtësime financiare.
“Nuk mund të jemi të barabartë në republikë nëse dikush ka targa RKS ndërsa dikush dëshiron që t’i mirëmbajë ato të KM”, theksoi Kurti duke nënvizuar se po e zbaton ligjin.
Kurti tha se Qeveria e Kosovës dëshiron zbatimin e ligjit por në të njëjtën kohë kujdeset edhe për çështjen e sigurisë dhe për këtë ai tha se është vazhdimisht në kontakt me ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë, si dhe me komandantin e KFOR-it dhe ambasadorin amerikan.
“Ne nuk duam që t’i befasojmë aleatët, ne duam t’i befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë në përkatësi etnike”, theksoi Kurti.
Pavarësisht se kryeministri Albin Kurti thoshte se vetëm po e zbaton ligjin se nuk mund të vazhdohet me targa ilegale ai e “dëgjoi” Amerikën, që në fakt disa herë për këtë çështje nuk i përfilli.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.
Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.
Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.
Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
