Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka propozuar katër hapa për të zgjidhur çështjen e barrikadave në veri, të cilën ai e ka quajtur “kurthë të Serbisë”.
Lidhur me situatën e krijuar në veri, Hoti i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë urgjentisht katër hapa për të zgjidhur çështjen.
Një nga pikat e propozuara nga Hoti, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që barrikadat t’i largojë në bashkëpunim me KFOR-in.
Pikat e propozuara nga Avdullah Hoti:
Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kjo kurthë e Serbisë:
- Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë.
- Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi.
- Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut
- Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë.
