Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar të hënën me 15 vjet burgim të akuzuarin I.H., që dyshohet se më 31 maj të 2019-s, e kishte rrahur për vdekje bashkëshorten e tij, viktimën H.D.
Gjykata njoftoi se më 3 shkurt të 2021-s, i akuzuari ishte dënuar me masën e njëjtë, por pas ankesave, rasti ishte kthyer nga Gjykata Supreme në atë Themelore.
Më 31 maj të 2019-s, rreth orës 17:30, i akuzuari I.H. derisa po voziste veturën në dalje të fshatit Samadrexhë, 400 metra nga rruga kryesore Suharekë-Rahovec, pas një mosmarrëveshjeje, kishte ndalur veturën dhe e kishte nxjerrë me forcë bashkëshorten e tij.
Ai, sipas Gjykatës, e kishte grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe kur e ndjera ishte rrëzuar në asfalt, ai e kishte goditur, duke i shkaktuar thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive dhe dëmtime në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar.
“Lëndimet janë konstatuar në raportin e autopsisë nga Dr.F.B., ekspert mjeko-ligjor nga të cilat lëndime më vonë ajo vdes, në QKUK në Prishtinë me datën 15.06.2019”, thuhet në njoftim.
