Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke vazhduar aktivitetet e njësive policore në zonat e përfshira nga vërshimet.
Në njoftimin e tyre thuhet se pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve në ditën e djeshme, sot ka filluar të bie niveli i ujit, kurse aktivitetet policore në rajonet që janë përfshirë po vazhdojnë të jenë aktive.
Raportohet se në Mitrovicë dhe në Skënderaj niveli i ujit ka rënë, në disa ndërtesa në katet përdhese ka ende uji, në disa vende ka sasi uji i cili nuk është tërhequr krejtësisht.
“Njësitet policore janë në teren dhe po ballafaqohen me detyra përfshirë ndihmën për qytetarët dhe sigurinë në trafik. Aktivitetet po koordinohen me institucionet komunale dhe ato qendrore. Në rajonin e DRP Mitrovicë Veri niveli i ujit ka rënë, ka pasur intervenime nga kompani në pastrimin për heqjen e dheut e gurëve nga rrugët dhe rrugët janë të qarkullueshme, nuk ka pasur dëme në njerëz”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa, në Istog, në katër fshtra ku ka pasur vërshime, niveli i ujit ka rënë. Poashtu, edhe në disa fshatra të Podujevës ka rënë niveli i ujit, edhe pse ende jo tërësisht.
Policia apelon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave dhe po ashtu apelon që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, qytetarët të thërrasin në numrat përkatës.
