Komuna e Dragashit ka reaguar pas “shqetësimeve të shumta që janë shprehur në lidhje me vendimin që ka marrë Ministria e Financave për vlerësimin e pronave, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e vlerës së tatimit në pronë”.
Kësisoj, kjo komunë thotë se “është angazhuar që të caktojë normën tatimore më të ulët të mundshme”.
“Nga 0.17% sa ka qenë më herët, Kuvendi Komunal në Dragash në mbledhjen e mbajtur më 15 nëntor të vitit të kaluar, ka marrë vendim për uljen e normës tatimore në 0.15%. Pra, ky është kufiri, poshtë të cilit ligji nuk lejon që të shkohet. Komuna e Dragashit e ka caktuar përqindjen më të ulët të tatimit në pronë, ndërsa përcaktimin e vlerës së pronave e bën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet në reagimin e kësaj komune.
“Andaj, ne i konsiderojmë të papranueshme përpjekjet për t’i kaluar tek komunat përgjegjësitë për ngarkesën e qytetarëve me norma të larta tatimore. Gjithashtu, drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim nga Komuna e Dragashit, ka marrë pjesë në mbledhjen e Kolegjiumit për Zhvillim Ekonomik Lokal në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku ka paraqitur qëndrimin zyrtar të Komunës sonë kundër rritjes së tatimit në pronë nga Ministria e Financave, ashtu siç kanë bërë shumica e komunave të Republikës së Kosovës”, vijon kumtesa e Komunës së Dragashit në Facebook.
“Ne besojmë se qëllimi kryesor i institucioneve publike duhet të jetë puna në drejtim të lehtësimit të jetës dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve tanë, dhe se bashkëpunimi i vazhdueshëm i institucioneve qendrore me nivelin lokal është rruga e vetme për arritjen e këtij qëllimi”.
