Kryeministri Albin Kurti ka folur të enjten për darkën që e kishte të mërkurën mbrëma me Miroslav Lajçak, të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Në takim ku ishte edhe zëvendësi i tij i parë Besnik Bislimi, Kurti thotë të ketë biseduar gjatë për propozimin e Bashkimit Evropian për ujdinë Kosovë-Serbi.
Këtu Kurti u pyet për atë që tha Lajçak se në darkë u diskutua udha përpara në normalizimin e raporteve me Serbinë, dhe se u pajtuan që krejt ujditë paraprake të zbatohen.
“Parashikimet, analizat janë të rezervuara për emisionet televizive të mbrëmjes. Unë po u tregoj qëndrimin e Republikës së Kosovës, si kryeministër i saj”, tha Kurti.
Qëndrimet në fakt janë se nuk do Asociacion një etnik. Shprehet se është gati të flet për këtë temë, por se duhet të shkohet me rend.
33 ujditë paraprake të arritura në Bruksel, thotë se janë në rrafsh horizontal dhe se s’kanë hierarki ku njërën s’mund ta përzgjedhësh para të tjerave.
“Çështja e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve te mëhershme në Bruksel, është përbrenda këtij propozimi të Bashkimit Evropian.”Nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit, së pari kali pastaj qerrja”. Pra nuk mund të përzgjedhësh, një nen të caktuar, me interpretim të një anshëm dhe ta sjellësh para propozimit”, theksoi Kurti.
Për propozimin e BE-së, që Kurti e quan bazë të mirë për bisedime, për herë të parë tregoi se dokumenti ka preambulën me pesë fjali dhe dhjetë nene. Për paqen e normalizimin afatgjatë, kryeministri mendon se duhet njohja reciproke me Beogradin.
“Jo Asociacioni në qendër, jo asociacioni si parakusht, por njohja reciproke në qendër.E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë kancelari Scholz, po ua përsëris edhe unë këtu juve”.
Kurti, beson se është Serbia ajo që duhet menjëherë ta ndryshoj kushtetutën e saj në raport me Kosovën. Sërish foli për ndërkombëtarët.
“Tash duhet ta kuptoni se ndërmjetësit ndërkombëtar më parë sesa me qëndrime të veta, vijnë me kërkesa të palës tjetër. Por kërkesat e palës tjetër janë në masë të konsiderueshme dhe do thosha rregullisht të pa arsyeshme dhe iracionale .Andaj atyre duhet të u them vlerësimin tim të drejtë”.
Duke ju kthyer takimit me të dërguarin e BE-së, i pari I qeverisë kosovare, pohoi se u bisedua edhe seria e takimeve të Lajçakut me përfaqësuesit e pesë shteteve të Unionit Evropian që nuk e njohin Kosovën.
“Ka përmirësim të atmosferës por hapa konkret nuk ka”, shtoi Kurti.
