Manchester City po përballet me akuza të shumta për shkelje të “fair-play”-it financiar dhe për këtë qytetarët kërcënohen edhe me heqjen e tre titujve të kampionatit anglez.
Drejtuesit e Premier Ligës kanë akuzuar Cityn për shkelje të rregullave të lojës së ndershme në çdo sezon nga viti 2009 deri në 2018 duke përgatitur një aktakuzë për më shumë se 10 pika.
Që kur Sheikh Mansour bleu Cityn para fillimit të sezonit 2008/2009, City ka fituar gjithsej gjashtë tituj, tre prej të cilëve janë fituar në periudhën e diskutueshme.
Në periudhën që mbulon aktakuza, City ishte kampion në sezonet 2011/12, 2013/14 dhe 2017/18, dhe nëse vendimi i heq pikët Cityt, pothuajse me siguri do t’i humbë ato tre tituj.
Në sezonin 2011/12, City kishte të njëjtat pikë me Manchester Unitedin e vendit të dytë, në sezonin 2013/14 kishte dy pikë më shumë se Liverpooli dhe është e sigurt që do t’i humbiste ato tituj.
Ata mund të jenë pak më të qetë për sezonin 2017/18 sepse kishin 19 pikë më shumë se United, por në varësi të ashpërsisë së sulmit, lidershipi i Premier League mund t’i heqë 20 pikët e nevojshme për të qëndruar pa titull.
Kësisoj drejtuesit e United dhe Liverpool do ta ndjekin me shumë interes këtë gjyq, por kjo nuk do të thotë që automatikisht do të shpalleshin kampionë.
Është e mundur që kryesia e Premiership-it të marrë të njëjtin vendim si drejtuesit e Serisë A kur i morën titullin Juventusit në sezonin 2004/05, por nuk e shpallën kampion të ri.
Për momentin, titujt e Cityt nga sezonet 2018/19, 2020/21 dhe 2021/22 nuk janë nën hetim.
