Varianti i ri i korona virusit, “Omicron”, është duke u përhapur me hapa të mëdhenj në të gjithë Evropën, vetëm në Holandë tashmë janë identifikuar 13 raste të reja.
Të paktën 13 persona që u testuan në aeroportin “Schiphol” të Amsterdamit, pasi udhëtuan nga Afrika e Jugut të premten, kanë rezultuar pozitivë me virusin “Omicron”, raportojnë autoritetet shëndetësore holandeze për CNN.
Instituti Kombëtar i Holandës për Shëndetin Publik dhe Mjedisin, tha në një deklaratë se varianti ishte zbuluar përmes renditjes së 61 mostrave pozitive Covid-19, që u morën në aeroport të premten dhe ata që rezultuan pozitivë u dërguan në izolim, thanë autoritetet.
Varianti “Omicron” u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut, të cilët ngritën alarmin për numrin jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve të enjten.
Përveç Afrikës së Jugut, varianti është gjetur në Botsvana, Belgjikë, Australi, Holandë, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Izrael, Itali, Republikën Çeke dhe Hong Kong.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, caktoi variantin “Omicron”, i referuar fillimisht si B.1.1.529, si një “variant shqetësues”.
OBSH, tha të premten se provat e hershme tregojnë se varianti “Omicron”, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, mund të përbëjë një rrezik në rritje të infeksionit.
Por, ata shpjeguan se nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse varianti është ngjitës, nëse shkakton sëmundje më të rënda dhe nëse mund të shmangë vaksinat.
“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh dhe disa nga këto mutacione kanë disa karakteristika shqetësuese” tha në një deklaratë, Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19.
“Për momentin ka shumë studime që janë duke u zhvilluar, deri tani ka pak informacion, por ato studime janë duke u zhvilluar, kështu që ne kemi nevojë për studiues që të kenë kohë për t’i kryer ato dhe OBSH do të informojë publikun dhe partnerët dhe shtetet anëtare sa më shpejt”, shtoi ajo.
Zbulimi i variantit dhe përhapja e shpejtë në të gjithë botën është një kujtesë e pakëndshme se pandemia nuk ka përfunduar.
Një numër vendesh kanë mbyllur kufijtë e tyre për udhëtarët nga Afrika Jugore, me Bashkimin Evropian, Japoninë, Australinë, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe shumë të tjerë që ndalojnë udhëtarët nga vendet si Afrika e Jugut, Botsvana, Zimbabve, Namibia, Lesoto, Eswatini, Mozambiku dhe Malavi.
Afrika e Jugut dhe disa nga vendet e tjera të goditura nga ndalimet e udhëtimit, u tërhoqën kundër tyre.
Ministria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit të Afrikës së Jugut, tha se vendi po ndëshkohej për transparencën e tij.
“Shkenca e shkëlqyer duhet duartrokitur dhe jo ndëshkuar. Komuniteti global ka nevojë për bashkëpunim dhe partneritet në menaxhimin e pandemisë Covid-19,” tha ministria në një deklaratë për CNN.
