Telekomi i Kosovës ka hapur një ankand publik për shitjen e pesë automjeteve të cilat ndërmarrja publike i ka vendosur jashtë përdorimit.
Dy vetura të markës Range Rover, një Renault, një Nissan dhe një kamionetë janë pjesë e ankandit.
Të interesuarit mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 13 dhjetor të këtij viti, bazuar në një njoftim të Zyrës së Prokurimit të ndërmarrjes, të publikuar në platformën e-prokurimi.
Kriter për shitjen e automjeteve është çmimi më i lartë i ofertuar, ka bërë të ditur Telekomi në njoftimin publik, raporton mediumi online Paparaci.
“Ofertimi është i hapur për të gjithë ofertuesit e interesuar. Dokumentet e ofertimit do të kërkohen nga ofertuesit e interesuar duke dorëzuar një aplikacion me shkrim”, ka thënë Zyra e Prokurimit të Telekomit.
Të interesuarit për përvetësimin e automjeteve në shitje të Telekomit, mund t’i shohin nga afërt ato në objektin e Transportit të Telekomit të Kosovës Sh.A., në zonën industriale në Prishtinë.
Inspektimi i automjeteve bëhet nga data 30 nëntor deri më 30 dhjetor, duke filluar nga ora 10:00 deri më 15:00. /Paparaci.com
