Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ka mirëpritur emërimin e Bashkim Jasharit në pozitën e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ka falënderuar për shërbimin Komandantin e dorëhequr, Rrahman Ramën.
Haradinaj ka thënë se Rrahman Rama ka kontribuar në të gjitha të arriturat e FSK-së.
“Në krejt të arriturat e Ushtrisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama luajti një rol shumë të rëndësishëm dhe thuajse kryesor. E njoh shumë gjatë dhe nga afër, e njoh në punë me shumë profesionalizëm. Faleminderit për shërbimin Gjeneral Rama”, ka thënë Haradinaj.
“Komandantit të ri të FSK-së, ushtarakut të UÇK-së e pjesëtarit të një familje emblemë kombëtare, Gjeneralmajor Bashkim Jashari i uroj suksese dhe punë të mbarë. Jemi bashkë në punë të mira për sigurinë e Atdheut dhe të shtetit tonë, Republikës së Kosovës”, u shpreh kreu i AAK-së.
