Prodhimi global i kokainës ka arritur nivele rekord me një rikthim të fortë të kërkesës pas izolimit prej pandemisë së Covid 19-tës.
Trafikantët rezulton po ashtu të përdorin më shpesh shërbimet postare ndërkombëtare për të dërguar drogën tek konsumatorët. Evropa dhe Amerika e Veriut janë tregjet më të mëdha për kokainën, të ndjekura nga Amerika e Jugut, ajo Qendrore dhe Karaibet. Por ndonëse tregjet në Afrikë dhe Azi vazhdojnë të mbeten “të kufizuara”, Ghada Waly e OKB-së e cilësoi një realitet të rrezikshëm mundësinë që ato të zgjerohen.
Sipas Raportit Global për Kokainën, rritja e prodhimit është rrjedhojë e një zgjerimi në kultivimin e bimëve të kokainës, por edhe përmirësimit të metodave të konvertimit të kokës në kokainë pluhur.
“Të dhënat që disponojmë, nxjerrin në pah faktin se roli i Afrikës, veçanërisht asaj Perëndimore dhe Qendrore, si një zonë tranziti për kokainën në rrugën e saj drejt tregjeve në Europë është rritur ndjeshëm që nga viti 2019”, thuhet aty.
“Si sasia totale e drogës së sekuestruar në Afrikë, ashtu edhe numri i konfiskimeve shënuan nivele të paprecedentë gjatë vitit 2021”, nënvizohet më tej.
Pandemia e koronavirusit pati ndikim të madh mbi tregjet e drogës, pasi udhëtimet ndërkombëtare u prekën ndjeshëm prej masave kufizuese. Por rënia ka qenë e përkohshme, dhe nuk preku tendencën afatgjatë, e sot furnizimi global i kokainës ka kapur sërish majat, sipas OKB-së.
Në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të veçantë ka pasur një “rritje të konsiderueshme” të konfiskimeve të kokainës së dërguar me postë, por nga ana tjetër në rritje duket të jetë edhe niveli i përgjimeve nga forcat e rendit dhe reagimi i autoriteteve.
