Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka pasur një pyetje për kryeministrin Albin Kurti, seancën e sotme në Kuvendin e Kosovë.
Musliu e pyeti Kurtin se në çfarë cilësie ishte prezente koordinatorja e komiteteve të LVV-së, Dejona Mihali, në takimin zyrtar që ai e ka zhvilluar javë më parë në Tiranë, raporton Paparaci.
Dejona Mihali, aktiviste e LVV-së, nuk është shumë emër i njohur për publikun, pasi nuk ka paraqitje në media dhe nuk ushtron asnjë funksion publik në Qeverinë Kurti. Por, ajo është figurë e rëndësishme në LVV, pasi që është anëtare e kryesisë.
“Më 26 mars ishte një vizitë punë në Tiranë, ku përveç presidentit Bajram Begaj dhe kryeministrit Ram, ju takuat dhe kryekuvendaren Nikollën. Me ju prezente u pa edhe Dejona Mihali. Në çfarë cilësie ishte ajo dhe cili ishte kontributi i saj në këtë takim?”, pyeti Musliu.
Sipas Kurtit, Mihali ka qenë prezente veç në takimin me kryeparlamentaren e Shqipërisë, Lindita Nikolla, “për shkak të karakterit të saj të punës me parlamentin.
Por, Musliu shprehet se një veprim i tillë është shkelje e protokollit shtetëror. Ajo shprehet se prezenca e Miahlit në atë takim, “tregon se Kurti është i kontrolluar nga ajo”.
Musliu shprehet se Kurti i përfill direktivat e saj, por nuk dihet se “kush e dirigjon Dejona Mihajlin në institucionet e vendit”.
Ndërkohë, shefi i qeverisë tregoi se është e nevojshme ta sqarojë se Mihali vjen nga Tirana, pasi mund të mendohet se ajo “është nga Beogradi nga mënyra se si po shtrohet pyetja”.
“Pas dy vjet qeverisjeje, shikoni se çfarë pyetje më bëni. Ka mbetur puna të më kapeni për Dejona Mihajlin. Ky është kompliment për Qeverinë. Dejona është nga Tirana, se mënyra qysh po e shtroni pyetjen mos po mendon naj kush që është nga Beogradi”, u shpreh Kurti.
