Zyrtari i PDK-së, Përparim Gruda, ka zbardhur disa detaje lidhur me kryeshefin ekzekutiv tashmë të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua të mërkurën e kaluar nga Policia e Kosovë.
Sipas tij, “lidhja tashmë është e qartë”. Ai tregoi se Krasniqi ia ka dërguar një ’email’ kompanisë greke “që të bëhet gati për tender”.
“Kryeministri (Albin Kurti) ishte në Greqi ku u takua me rreth 40 biznese. Ai nuk zbuloi emrin e bizneseve. Tani kemi Martin Berishajn, ai është ambasador”, tha ai.
“Në anën tjetër i shet energji shtetit të tij. Si mund që një ambasador të shesë energji elektrike tek shteti i tij. Nëse ka lidhje me energjetikë, pse të mbajë postin e ambasadorit”, shtoi Gruda në T7.
Paparaci ka raportuar ekskluzivisht të martën se një kontratë në vlerë 1.6 milion euro e KEK-ut me një kompani greke dyshohet se është lidhur përmes ushtrimit të ndikimit të Nagip Krasniqit. Kriteret e dosjes së tenderit janë ndryshuar për t’iu përshtatur një kompanie.
Një kompani private greke, e panjohur më parë në tregun e Kosovës, ishte kontraktuar në mënyrë të dyshimtë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për projektin e përmirësimit të kanaleve të mullinjve të thëngjillit.
“Egrotem S.A.”, me bazë në qytetin Mandra të Greqisë, është përzgjedhur këtë vit fituese e një tenderi të vlefshëm 1.6 milion euro nga KEK-u, në një procedurë të hapur të prokurimit.
Ndonëse procedura e prokurimit ishte e hapur dhe parashihte konkurrencë të hapur e transparencë, tenderi dyshohet se është “kurdisur” nga menaxhmenti i KEK-ut.
Për përzgjedhjen fituese të kompanisë “Egroterm S.A.”, dyshohet se ka ndikuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar të mërkurën nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.
Krasniqi dyshohet se ka ushtruar ndikim te zyrtarët e prokurimit në KEK për ndryshimin e kritereve të Dosjes së Tenderit para nënshkrimit të kontratës me kompaninë “Egroterm S.A.”, kanë thënë burime brenda KEK-ut. Në Dosjen e Tenderit, sigurimi i ekzekutimit të tenderit ishte caktuar të jetë në vlerë prej 50 për qind të shumës së përgjithshme të kontratës.
Me këtë kriter të vendosur në Dosjen e Tenderit, KEK-u e ka kufizuar konkurrencën në procesin e ofertues për shkak të caktimit të shumës jashtëzakonisht të lartë të garancionit të sigurisë prej 50 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës.
Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, garancioni i sigurisë në kontrata të prokurimit publik duhet të jetë së paku 10 për qind.
Si pasojë e këtij kushti, në tenderin për “Pllakat rrëshqitëse në PF- Kanalet e mullinjëve të thëngjillit” ofertuan vetëm dy kompani: “Egroterm S.A.” dhe një kompani polake, “SBBB Nergy S.A”. Oferta e kompanisë greke vlente 1.6 milion euro, mbi një million euro më e lirë sesa oferta e operatorit konkurrent.
Gjatë zhvillimit të procesit, kompania polake kishte kërkuar nga KEK-u që të ulej në 10 për qind vlera e garancionit të sigurisë. KEK-u e ka refuzuar këtë kërkesë. Ka rekomanduar se sigurimi i ekzekutimit të kontratës duhet të jetë në vlerë 50 për qind, siç ishte paraparë në Dosjen e Tenderit.
“Sigurimi i ekzekutimit duhet te jete 50%, ashtu siç është cekur ne DT”, është përgjigjur Zyra e Prokurimit në KEK.
Megjithatë, ky kriter i cili e kishte kufizuar konkurrencën në ofertim, ishte eliminuar nga KEK-u në momentin e përzgjedhjes së kompanisë fituese, “Egroterm S.A.”.
Siç ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda KEK-ut, kompania greke refuzoi ta nënshkruante kontratën me KEK-un me sigurim të garancionit në vlerë 50 për qind dhe kërkesoi që garancioni i tenderit të ulej në 10 për qind.
Fillimisht, kjo kërkesë është kundërshtuar nga zyrtarët e prokurimit, kanë thënë të njëjtat burime. Por, dyshohet kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka ushtruar ndikim te zyrtarët e prokurimit dhe ka kërkuar që kompanisë fituese në tender t’i pranohet garancioni prej 10 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës.
Përfundimisht, duke shkelur procedurat dhe Dosjen e Tenderit, KEK-u ka pranuar të ndryshojë kriterin për vlerën e garancionit dhe e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Egroterm S.A.”.
Dyshime të forta për kurdisjen e kontratës milionëshe të KEK-ut me kompaninë greke
