Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka pretenduar se vendimi për shpërbërjen e ekipit menaxhues, i cili ka hartuar statutin e Asociacionit sipas dëshirës serbe, dhe e prezantoi atë dje në Bruksel, “është i njëanshëm dhe i paligjshëm dhe se shkarkimi i ekipit çon në përfundimin e Asociacionit”.
Siç pretendohet në deklaratën e Petkoviqit, “kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrat në qeverinë e tij nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë”, transmeton Paparaci.
“Mandati i ekipit menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft statutit të Asociacionit, por ekipi menaxhues ka një rol të rëndësishëm në procesin e formimit të Asociacionit, deri në themelimin e tij”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka shtuar se është e qartë se Kurti me “një vendim skandaloz e ndërpreu procesin e formimit të Asociacionit vetëm dhjetë orë pasi ishte inicuar zyrtarisht në dialog pas 10 vjetësh”.
“Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë këtë obligim më të rëndësishëm në çdo mënyrë”, ka pretenduar Petkoviq.
Ai i ka bërë thirrje BE-së që “menjëherë të ndalojë paligjshmërinë e Kurtit”.
“Me këto veprime Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse shpërbërja e ekipit menaxhues çon në anulimin e Asociacionit, dhe rrjedhimisht edhe anulimin e procesit të dialogut”, ka përfunduar Petkoviq.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi, ka njoftuar sot se ka shkarkuar ekipin menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Paparaci
