Të fundit

Dikur me definicion latin e sot me mbiemra shqip: Si i ndryshuan Kurtit standardet e nepotizmit?

Opozitari i ashpër e i zëshëm i dikurshëm Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës duket se ka pësuar një metamorfozë jo vetëm sa u përket qëndrimeve, por edhe një metamorfozë diskursive në përkufizimin e fenomeneve të ndryshme politike. Njëlloj ka ndodhur edhe me fenomenin e nepotizmit. 

Paparaci.com

Dikur, kryeministri i tanishëm Albin Kurti nxirrte rrënjën etimologjike të fjalës nepotizëm kur i duhej për t’i kritikuar kundërshtarët politikë atëherë në pushtet, ndërsa tani, përkufizimin e nepotizmit e ka reduktuar në mbiemrin e tij dhe në familjen e ngushtë, shkruan Paparaci.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë të enjtës ka deklaruar se nuk ka “gisht” në zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor në Radio Televizionin e Kosovës, e që është njëkohësisht një militant i zellshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa është shprehur se nuk preferon që anëtarët e aktivistët e LVV-së të marrin këso detyra.

Kurti në vetëmbrojtje e sipër ka përmendur edhe familjarët e tij të ngushtë, vëllezërit e prindërit për të cilët është shprehur se nuk kanë shkelur pragun e ndërtesës së Qeverisë në tentim për t’u çlidhur nga akuzat për nepotizëm që po drejtohen kah i pari i ekzekutivit.

“Nuk kam pasur dhe as që kam gatishmërinë e as interesim se kush zgjidhet në RTK, jam i interesuar ta shoh qe RTK është lider sepse besoj në shërbimin publik. Në vitet e kaluara ka pas shpërputhje midis buxhetit dhe programit. Programet kulturore edukative, kur nuk mund të presësh shumë prej televizoneve private e kanë vendin në televizionin publik”, u shpreh ai.

Ai madje insistoi se asnjë person që ka mbiemrin Kurti (në kuptimin e familjarëve të tij të ngushtë) nuk është punësuar, por as nuk ka shkelur pragun e ndërtesës së Qeverisë.

“As dy vëllezërit e mi as dy prindërit e mi nuk kanë shkelë pragun e ndërtesës së qeverisë dhe nuk do ta bëjnë këtë”, tha Kurti.

Hiç më larg se në vitin 2013, kryeministri i tanishëm e opozitari i ashpër Albin Kurti kishte përkufizuar edhe etimologjikisht konceptin e nepotizmit, duke thënë se rrjedh nga fjala latine “nepos/nepotis” që do të thotë nip. Atë kohë, Kurti me anë të një shkrimi “Shteti i Pronës së Familjës” ku kritikonte qeverinë e PDK-së për “sjellje tipike mafioze” sa i përket punësimeve nepotiste.

“Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos/nepotis që do të thotë nip. Grabovci e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet. Ai ndërhyn edhe në agjendën e kryeministrit i cili jo vetëm që s’e zmbraps dot këtë kërkesë të nipit Grabovci, por edhe i duhet të shfajësohet para tij duke u përgjigjur që nuk i është thënë ta kryejë këtë punë(sim). Ky nepotizëm par excellence që ka përfshirë edhe kreun e Qeverisë, prej Grabovcit quhet ‘respekt për familjen’. Privilegjet për të afërmit e tyre në llogari të interesit dhe parasë publike, Grabovci dhe të ngjashmit i quajnë veçse respekt. Sjellja e këtillë ështe tipike mafioze.” – shkruante Kurti.

Kurti e kishte “gojën plot” kritika ndaj nepotizmit dhe punësimeve familjare nëpër institucione edhe në fushatën e fundit zgjedhore me frazën që u bë hit i zgjedhjeve ku ai insistonte se familjarët janë për dasma, e jo për institucione.

“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor, apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria.”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Kurti.

Por, reduktimi në mbiemër nuk është “zbutja” e vetme e qëndrimeve të Kurtit. Kurti kishte filluar të mbulojë me petkun e “profesionalizmit” punësimet partiake të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër borde të Ndërmarrjeve Publike.

“Nëse ka ndonjë rast individual të ndonjë lidhje të ndokujt kjo nuk është bërë për shkak që e ka atë lidhje familjare, por bëhet fjalë për një profesionist të spitakur. Duhet ta dallojmë shërbyesin civil, prej të emëruarit politik. Unë ministra e ata këshilltar të tyre, nuk mund t’i emërojmë njerëzit që nuk përputhen në bindje dhe në të njëjtën kohë nuk e pranojnë programin”, tha Kurti në RTK.

Ai madje tha se opozitarët po mundohen të gjejnë njolla edhe aty ku s’ka. Duke thënë se nuk ka njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër borde.

“Tash, çfarë do krahasimi me të kaluarën përbesë është i pavend dhe në herën e kaluar kur në fund në pranverën e vitit 2020, doli që afër 50 persona nëpër borde u vendosen, prej tyre dolën vetëm 4 persona me libreza të Vetëvendosjes, e tash s’janë më as 4. Meqenëse nuk mund të flasin se unë ja rrita pagën vetit përt të blerë kravata, apo si unë shkova për skijim në bansko, meqenëse nuk kemi skandale të tilla përpiqen të gjejnë njolla edhe aty ku s’ka. Përpiqen të gjejnë njolla në këmisha të bardha ata që janë këmishëzi”, shtoi Kurti.

Për ironi të këtij deklarimi të Kurtit, Kryeshefi i pezulluar i Korporatës Elektroenergjetike, njeri i afërt i Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht ndodhet në paraburgim me vendim të dy shkallëve të gjykatës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

Përtej kësaj, metamorfoza diskursive e Kurtit ndaj fenomentit dhe konceptit të nepotizmit ndër vite tashmë është bërë e dukshme dhe kjo për faktin se mediat kanë raportuar për dhjetra raste ku njerëz të subjektit politik që udhëheq me vendin janë vendosur nëpër pozita të rëndësishme publike. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci