Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka mohuar raportimet për bastisje në zyrat e saj.
Avokati i NPB-së, Valdrin Behrami ka thënë se asnjë aksion nga Policia e Kosovës nuk është zhvilluar sot në zyrat e ndërmarrjes.
Ai i ka thënë Paparacit se nuk përjashtohet mundësia që bastisje është duke u realizuar në pronat e disa ish-zyrtarëve të menaxhmentit të NPB-së.
“Asnjë bastisje nuk është zhvilluar dhe nuk po zhvillohet në këtë moment në zyrat e Ndërmarrjes Publike Banesore”, ka thënë Behrami në një deklarim për Paparacin.
Edhe kryeshefi aktual i NPB-së, Arton Berisha, ka mohuar të jetë realizuar bastisje në zyrat e ndërmarrjes të mërkurën.
Paparaci, raportoi sot se Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës po zhvillon një bastisje në shtëpinë e Hajdar Hoxhës, ish-kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Zyrat e NPB-së ishin bastisur nga Policia e Kosovës edhe në korrik të vitit të kaluar. Aksioni dyshohet se po zhvillohet lidhur me hetimet për projektin për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat. /Paparaci.com
