Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në takimin që pati me homologun e saj francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, foli për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.
“Ne i diskutuam të gjitha, përfshirë edhe mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por natyrisht nëse ka participim”, tha Osmani.
Por, për një gjë të tillë, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha se Osmani nuk është konsultuar me ta.
“Për mua interesi shtetëror dhe ai qytetar është parësor, por presidentja nuk na ka konsultuar paraprakisht për mundësinë e zgjedhjeve të reja”, tha ai.
E, qëndrim për këtë nuk pati kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Këtë s’e kemi menduar ende”, tha shkurtimisht Peci.
Klankosova ka tentuar të bisedojë edhe me kryetarin e Leposaviqit, Lulëzim Hetemi dhe atë të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, por të njëjtit s’e kanë hapur telefonin.
Kujtojmë se dje kryeministri i vendit Albin Kurti tha se propozimi i tij është që nëse dhuna përfundon, zgjedhjet e reja mund të mbahen shumë përpara përfundimit të mandatit të mbetur dyvjeçar të kryetarëve të komunave.