Sot, janë bërë një javë që nga fillimi i tensioneve në komunat veriore të Kosovës që kulmuan me sulmin e protestuesve ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që po raportonin nga ajo pjesë e vendit. Për më tepër, ajo që mori vëmendje të madhe javën e fundit ishin mospajtimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të QUINT-it me veprimet e qeverisë së Kosovës që u pasuan me sanksione nga SHBA-të e me paralajmërime të frikshme nga Bashkimi Evropian.
Paparaci.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi që me asistimin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës t’i fusë nëpër objektet komunale kryetarët e zgjedhur të komunave veriore me shumë pak vota si pasojë e mospjesëmarrjes së partisë kryesore serbe në Kosovës “Srpska Lista”. Kjo u përcoll me protesta të dhunshme nga serbët matanë urës së lumit Ibër dhe si pasojë e situatës së tensionuar edhe me reagime të ashpra të bashkësisë ndërkombëtare, shkruan Paparaci.com.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u kritikua se kishte shpërfillur kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e dy kryetarë të zgjedhur nga ky subjekt politik në komunat veriore i refuzuan edhe takimin ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier. Si pasojë e kësaj “mosdëgjueshmërie” nga qeveria e Kosovës, pati reagime të ashpra që u “kurorëzuan” me sanksione nga SHBA-të. Si pasojë fillestare ishte përjashtimi i Kosovës nga trajnimet ushtarake të NATO-s, “Defender Europe 23”.
LEXO EDHE: Situata në veri, anulohet “Defender Europe 2023”
Kurti, nuk u ndal. Ai injoroi thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që fajin ia linin Kosovës për tensionim të situatës dhe në një intervistë të tij deklarimet e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken i quajti “naive”. Megjithatë, SHBA-të, QUINT-i dhe Bashkimi Evropian vazhduan të kërkonin shtensionimin e situatës në pjesën veriore.
LEXO EDHE: Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive
Mirëpo, kursi i veprimeve në veri, nuk ndryshoi as në Bruksel e as në Washington, por në Bratisllavë e Moldavi. Një vizitë, fillimisht e anuluar, e pastaj e realizuar e Kurtit në Bratisllavë dhe vizita e presidentes së Kosovës në Moldavi duket se vulosën tërheqjen e Kosovës sa i përket gjendjes në veri. Dy liderët rezulton nga kjo se shkuan me “ofertë” në vizitat e tyre.
Fillimisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në forumin “Globsec” në Bratisllavë konfirmoi se ishte takuar me Shefin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Emisarin e tij për dialogun, Miroslav Lajçak dhe se të dyve ua kishte konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për zgjedhje të reja në veri – si alternativë e daljes nga kriza.
“Më lejoni të bëj një pyetje jo-retorike, nëse kryetarët nuk janë në objektet komunale, ku duhet të jenë? Kush duhet të jetë në këto ndërtesa? Mandati i tyre nuk është 4 vite, është 2, por edhe kjo nuk është e domososhme të zgjasë, isha duke diskutuar tani me Borrellin dhe Lajçak, ku thash se kur thash se nëse do të ishte një protestë paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme, do të kishte mirëkuptimin tim, por jo banda me shkronjën ‘Z’ që sulmojnë policët dhe ushtarët, gjuajnë granata dhe bërtasin Ubi, Ubi që përkthehet vrit, vrit. Nëse ata duan protesta paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme ata kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën një aktivist dhe është i gatshëm t’i dëgjoj e mbase të pajtohet me ta”, tha Kurti.
Kurti ia shpreh Borrellit “gatishmërinë” për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri
Paralelisht, në Moldavi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emanuel Macron e madje në një “takim joformal” edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me të cilin nuk kaloi fare mirë. Megjithatë, në takim me Scholz e Macron, ku prezent ishte edhe Borrell, Osmani duket se “u pajtua” për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja, mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë në to, ta shfrytëzojnë participimin.
“Pra ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që dëshirojnë dhe të sigurohen për respektimin e të drejtave të tyre nëpërmjet përfaqësuesve që ata i zgjedhin”, është shprehur Osmani, duke mos e përjashtuar këtë veprim si zgjidhje për shtensionimin e situatës.
“Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka një përqindje të caktuar të qytetarëve që janë në listën e votimeve e iniciojnë një procedurë të tillë. Pra nëse ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë”, ka nënvizuar Osmani.
Pas këtyre zhvillimeve në Moldavi e Bratisllavë, kërkesat e ndërkombëtarëve ndryshuan rrjedhë. “Oferta” e dy liderëve për zgjedhje të reja në veri, u transformua në kërkesë të ndërkombëtarëve, një ndër kryesoret për shtensionimin e situatës në komunat veriore.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, i bëri të ditura tri kërkesa ndaj presidentes Osmani dhe paralajmëroi pasoja të rënda në rast të moszbatimit të tyre.
Zgjedhjet e reja lokale tani, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishin kërkesat kryesore të Borrellit ndaj Osmanit.
Borrelli me tri kërkesa për Osmanin: Dështimi do të ketë pasoja të rënda
“Tërheqja” e Kurtit mori rrugë mbrëmë. Ai u telefonua nga Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer. Kurti iu zotua atij për bashkëpunim me SHBA-të për depërshkallëzimin e tensioneve në veri dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të jashtëzakonshme atje.
“I lumtur që bisedova me me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer. E falënderova për thirrjen dhe u zotova që të bashkëpunim me SHBA-në për t’i depërshkallëzuar tensionet”, njoftoi të enjtën Kurti.
“Kjo kërkon një përfundim të menjëhershëm të dhunës nga bandat e mbështetura nga Beogradi nga zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në këto komuna”, shkroi ai.
Kurti merr telefonatë nga SHBA-të, pajtohet për zgjedhje të reja në veri
Të njëjtën Kurti ua konfirmoi edhe senatorëve Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen me të cilët ka folur të enjtën për situatën në veri të Kosovës.
“Gjithmonë kënaqësi të flasësh me Murphy, Ricketts dhe Shaheen. I falënderova për mbështetjen e tyre të gjatë ndaj Kosovës. Largimi i turmave të dhunshme përpara ndërtesave të bashkive dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes Bazë është rruga drejt de-përshkallëzimit deri në zgjedhje të reja”, tha Kurti.
Kurti bisedon edhe me tre senatorë amerikanë, kërkon zbatim të marrëveshjes me Serbinë
Tani që zgjedhjet në veri pothuajse pashmangshëm janë bërë kushti vendimtar për depërshkëllzimin e situatës në veri dhe daljen nga kriza, mbetet të shihet se cilat do të jenë modalitetet e veprimit nga qeveria e Kosovës dhe si do të bindin serbët për pjesëmarrje në zgjedhje të reja kurdo që ato mbahen. /Paparaci.com/
