Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pasi për shkak të mungesës së kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Duke i reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, Kusari tha se nuk është e vërtetë që mbledhja e kryesisë ka dështuar për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV-së, transmeton Paparaci.
Sipas saj, mbledhja e sotme e kryesisë ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga opozita, Enver Hoxhaj i PDK-së dhe Kujtim Shala nga LDK-ja.
“Demantim: Urime edhe ty Abelard Tahiri dita e çlirimit të Kosovës! Çka mund të bësh sot si duhet është të pakten të mos dezinformosh duke mbuluar dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend! Për informim të drejtë të opinionit publik, sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK”, shkroi ajo në Facebook.
“Nuk është e vërtetë deklarata e shefit të GP të PDK-së që për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë. Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare NUK E BËJNË kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit”, shtoi ajo.
Sipas Kusarit, sot prezent ishin kryekuvendari Glauk Konjufca dhe nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy nënkryetarët nga opozita tha se pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim.
“Kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare. Do të ishte mirë z. Tahiri të tregonte pse Nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk ishte prezent sot dhe jo të mundohej kotësisht të bënte kauzë opozitare të paqenë”, përfundoi Kusari-Lila.
Tahiri ka deklaruar të hënën se mungesa e LVV-së dhe LDK-së në mbledhjen e kryesisë dëshmon se pushteti është jo serioz karshi deputetëve e qytetarëve.
“Nuk arriti të mbahet mbledhja, nuk ishin përfaqësues të pozitës, ishte një dështim i mbledhjes së Kryesisë. Nuk po arrijnë që të bëjnë shumicën as në kryesi as në Kuvend. Dështimi është i dëmshëm, ne jemi pakica në atë kuvend, megjithatë kemi luajtur rol të rëndësishëm. Përmbyllëm reformën zgjedhore, për shtet muaj si deputetët arritëm me përmbyll një proces të rëndësishëm”, tha ai.
