Avokati Arianit Koci është shprehur i gatshëm të shkojë në Beograd për t’u ofruar mbrojtje tre policëve kosovarë të kidnapuar brenda territorit të Kosovës.
Ai ka thënë sot se nëse nuk bëhet lirimi i policëve me presion politik, atëherë ai është i gatshëm të niset për në Beograd, nëse autorizohet nga Qeveria e Kosovës.
“Në rast se policët e kidnapuar nuk lirohen me presion politik, jam i gatshëm që menjëherë javën e ardhshme – me autorizim të qeverisë së Kosovës – të shkoj në Beograd dhe në cilësinë e avokatit t’ua koordinoj mbrojtjen”, ka shkruar Koci.
Koci ka deklaruar se policët nuk duhet lënë vetëm në mëshirën e bashkësisë ndërkombëtare.
Tutje, ai ka thënë se punën e tij në lidhje me këtë çështje do ta bëjë falas.
“Nuk mund t’i lëmë policët tanë vetëm në mëshirën e bashkësisë ndërkombëtare. Në anën tjetër, dikush duhet t’i vizitoj në qendrën e ndalimit/paraburgimit, kudo që janë. Punën time do t’a bëj falas!”, përfundon statusi i tij.
