Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla, e ka përgëzuar Policinë e Shtetit për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e pesë personave në këtë operacion.
Në mesin e pesë të arrestuarve, dy prej tyre janë nga Kosova përfshirë këtu edhe Besnik Mujecin, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Sipas tij, operacioni i sotëm vë në pah nevojën e luftimit të rasteve të kontrabandimit të drogës.
“Suksesi i operacionit të radhës të Policisë së Shtetit në goditjen e një rrjeti trafikantësh nga Kosova në Shqipëri dhe sekuestrimi i një sasie shumë të madhe dozash/tabletash të një lloj droge nxjerr në pah dhe nevojën e një lufte edhe më të ashpër ndaj këtij fenomeni”, shkroi ai në Facebook.
“Kjo është një betejë dhe një sfidë për policinë e çdo vendi dhe disa mund të thonë se është e vështirë, se edhe vendet e tjera e kanë këtë problem. Unë nuk mendoj kështu. Në javët e fundit janë goditur disa rrjete shpërndarësish lëndësh narkotike edhe pse duhen ndjekur fijet dhe duhet të shkohet tek “bosat” e tyre sa më shpejt”.
