Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se dështimin e ministrisë së Arsimit do ta paguajnë fëmijët dhe prindërit e tyre.
Reagimi i saj vjen pasi të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke folur për përgatitjet e vitit shkollor, ka njoftuar se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave.
Nagavci ka shtuar se këtë vit shtëpitë botuese padrejtësisht kanë rritur edhe çmimin e teksteve shkollore, porse e njëjta tha se janë duke punuar në këtë drejtim.
Por, Bajrami shprehet se nisma e Ministrisë së Arsimit që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e librave shkollor vetëm një javë para se të nisë procesi mësimor është nismë e gabuar, e vonuar dhe sipas saj, do të ketë pasoja për gjithë sistemin e posaçërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre.
“Shteti nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë shantazhi dhe as kushtëzimeve eventuale nga ndonjë shtëpi botuese, por vendimet për gjëra kaq të rëndësishme për procesin mësimor duhet të merren shumë kohë më parë, të bëhen përgatitje dhe të mos pësojë gjithë shoqëria”, shkroi ajo në Facebook.
“Pra, kemi një dështim të MASHT-it meqë krejt në fund paskan marrë çmimet e larta nga shtëpitë botuese dhe tash i ngarkojnë familjet dhe prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat.
Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë? Çka nëse s’ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit?”, pyeti ajo.
Ajo po ashtu u shpreh se mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme sepse shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, “e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it”.
“Kush garanton se këto shtëpi botuese kanë me ulë çmimin në rast se librat blihen nga prindërit? Kush e përcjellë tregun? Kush e monitoron furnizimin me libra të fëmijëve? Çka nëse kalojnë disa javë ose edhe muaj dhe nxënësit nuk arrijnë të furnizohen me të gjitha librat?”, ishin pyetjet e ligjvënëses opozitare në Facebook.
“Vitin e kaluar fëmijët tanë e kanë humbë një muaj mësim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi. Ministre, mos i merr në qafë fëmijët sepse kanë humbur një muaj mësim vitin e kaluar. Mos i lë fëmijët pa libra se këtë nuk ta kanë borxh”, përfundoi ajo.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po e shqyrton mundësinë që t’i transferojë mjetet financiare në xhirollogaritë e prindërve dhe ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Kjo është bërë e ditur nga ministrja Arbërie Nagavci e cila ka theksuar se furnizimi me tekste shkollore ka qenë sfidë meqë shtëpitë botuese i kanë rritur çmimet.
Nagavci ka folur në konferencë për media ku ka deklaruar se janë gati që mësimi të fillojë me 1 shtator.
“Furnizimi me tekste shkollore ka qenë mjaft sfidues. Kemi pa që shtëpitë botuese kanë rritur çmimet, kemi pas jo vetem dallim nga viti në vit por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime. Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transferimin e mjeteve për tekste shkollore të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre”, ka thënë ajo.
MASHTI përgatitet t’ua kalojë prindërve përgjegjësinë për blerjen e teksteve shkollore
