“Një nga zgjidhjet e “çështjes së Kosovës” është krijimi i një aleance ortodokse që do të përfshinte Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Serbinë, vende që kanë problem me “separatizmin dhe ekspansionizmin shqiptaromadh”, dhe duke bashkuar këto kombe ortodokse kundër Shqipërisë së Madhe, rreziku i konfliktit do të zvogëlohej”, ka pretenduar lideri i partisë ultra-nacionaliste serbe “Dveri” Boshko Obradoviq.
Ai ka shtuar se “çështja BE apo Kosova nuk mund të jetë dilemë për asnjë patriot serb”, sepse “Kosova është pjesë integrale e Serbisë” si brenda dhe jashtë vendit”, dhe ka shtuar se asgjë tjetër, madje as BE-ja, nuk mund të jetë më e rëndësishme dhe se Kosova gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë mbi BE-në apo çdo integrim tjetër”, transmeton Paparaci.
Obradoviq ka thënë se Kosova është “krahinë jugore serbe” dhe se “në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e ndarë apo e pavarur, madje as sovrane, kështu që nuk mund të ketë ulëse në OKB”.
I pyetur për referendumin për Kosovën, ai tha se mund të thuhet se tashmë kemi pasur një referendum për Kosovën, “në fushën e Kosovës në vitin 1389”, por se kemi pasur edhe një referendum modern dhe miratimin e Kushtetutës në vitin 2006, brenda cilës është preambula ku qëndron se Kosova është pjesë e Serbisë, e cila përmendet edhe në betimin presidencial./Paparaci.com
