Kosova do të përballet me Zvicrën më 9 shtator në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian. Lidhur me këtë ndeshje, Federata e Futbollit e Zvicrës ka bërë të ditur programin e udhëtimin.
Në detajet e publikuara nga Federata e Futbollit e Zvicrës, shihet se helvetikët nuk kanë planifikuar stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku edhe do të zhvillohet ndeshja.
Futbollistët zviceranë do të grumbullohen të hënën, më 4 shtator në Saillon të Zvicrës, ku do t’i ndjekin stërvitjet deri më 8 shtator.
Në ditën para ndeshjes, Zvicra stërvitet në qytetin Riddes, ndërsa udhëtimin për në Prishtinë e bën nga Sioni, pasdite.
Në “Fadil Vokrri” do të mbahet vetëm konferenca për shtyp e përzgjedhësit Murat Yakin dhe e një lojtari, kurse nuk është paraparë edhe stërvitja.
Zakonisht të gjithë skuadrat që ndeshjet i zhvillojnë në udhëtim zbarkojnë në vendin nikoqir një ditë më herët ku edhe zhvillojnë stërvitje për tu përshtatur me terrenin e ri, por një gjë e tillë nuk është paraparë nga Federata e Futbollit e Zvicrës.
Ndeshja mes Kosovës e Zvicrës i takon Grupit I.
