Ramë Vataj, ish-rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, për akuzën se ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs, të dëmtuarit Vehbi Miftari.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, i akuzuari Vataj po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 50 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij është shqiptuar nga gjykatësi Fatmir Krasniqi, pas përfundimit të gjykimit.
I akuzuari dënimin me gjobë prej 1,500 euro është i obliguar që ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe se nëse dënimi me gjobë nuk mund të paguhet, i njëjti mund të zëvendësohet me dënim me burgim, ku për një ditë burgim do të llogaritet 20 euro.
Ndryshe, të premten në ora 11:00, në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prizren, është dhënë fjala përfundimtare e palëve ndërgjyqëse dhe shpallja ishte paraparë për orën 14:00.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkonte Ramë Vataj se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.
Tutje në aktakuzë thuhej se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.
Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.
Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohej se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike.
Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.
Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.
Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
