Federatës zvicerane të futbollit nuk i ka pëlqyer deklarata e kapitenit Xhaka pas barazimit ndaj Kosovës.
Xhaka hodhi fajin mbi selektorin Murat Yakin për përgatitjen e ndeshjes, por ai ka marrë kritika për këtë qasje.
Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka theksuar se nuk dëshiron t’i kushtojë shumë rëndësi deklaratës së Xhakës.
“Kam parë momentin kur Xhaka e tha këtë”, ka thënë Tami. Sipas tij, është pak e kuptueshme pasi ishte moment emocional për Xhakën. “Por nuk më pëlqeu, një deklaratë e tillë nuk i ndihmon askujt”, ka shtuar Tami, përcjell “Blick” të dielën.
Sipas Tamit, për lojtarët është më mirë të flasin për paraqitjen personale.
“Lojtarët janë përgjegjës për kualitetin e stërvitjes. Por për mua nuk është problem nëse ka mendime të ndryshme”, ka shtuar Tami.
Xhaka kishte deklaruar pas ndeshjes se mënyra se si luajti Zvicra shfaqte atë që është punuar gjatë gjithë javës në stërvitje.
“Mënyra se si luajtëm ishte ajo se si vepruam gjatë gjithë javës. Nuk stërvitëm si duhet. Nuk kishte temp e intensitet siç duhej të kishte. Dukej sikur po luanim ndeshje miqësore ose po luanim në park. Kështu nuk shkon. Nuk mund të kalosh nga 0 në 100 kur gjithë javën nuk bën shumë. Asnjë lojtar në botë nuk mund ta bëjë këtë”, ka thënë Xhaka.
Yakin është përgjigjur duke deklaruar se do të bisedojë me Xhakën.
“U stërvitëm si zakonisht, gjithçka ishte nën kontroll. Sigurisht se nuk mund të zbatonim gjithçka siç ishte planifikuar. Por, e kemi edhe një ndeshje tjetër. Nuk mund të supozojmë thjesht se do të marshojmë nëpër këtë grup. Do të diskutoj privatisht me Granitin se cila ishte ideja prapa deklaratës që dha”, tha Yakin.
