Futbollistët e rinj kosovarë po vazhdojnë t’i bashkohen Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
I fundit që u ftua nga trajneri Alban Bushi ishte Ermir Rashica.
Trajneri i ekipit të të rinjve të Shqipërisë, sot në konferencë për shtyp është pyetur rreth lojtarëve nga Kosova që po zgjedhin të luajnë për Shqipërinë, nëse po e bëjnë këtë pas suksesit të Kombëtares A shqiptare apo nëse është vetë Bushi ai që po ndikon që t’i bindë për t’u veshur Kuqezi.
“Mund të jetë ekipi i parë, por nuk mendoj. Ne kemi marrë gjithmonë lojtarë shqiptarë nga Kosova. Nuk po marrim vetëm tani që ekipi A ka rezultate. Është zgjedhja e tyre, ne thjesht i kontaktojmë. Jo për të bërë polemika, por ne thjesht i kontaktojmë nëse ata kanë dëshirë të vijnë të luajnë për Shqipërinë. Është një luks i madh që një lojtar të ketë mundësi të zgjedhë mes dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Të dyja Kombëtaret janë njësoj. Siç ne na bëhet qejfi kur Kosova ecën mirë, edhe atyre u bëhet qejfi kur Shqipëria bën mirë”, deklaroi Bushi në konferencë për shtyp.
Bushi ka folur edhe për super-talentin nga Kosova, Arijon Ibrahimovic, i cili e nisi për mrekulli eksperiencën e re në Serie A me Frosinonen.
Trajneri shqiptar e pranon se e ka kontaktuar 17 vjeçarin, por që nuk ka marrë ende përgjigje prej lojtarit në pronësi të Bayern Munichut.
“Çdo lojtar shqiptar kudo që është, në çdo kampionat të Evropës ne e kontaktojmë. Nuk diskutohet fare që ka pasur kontakte Shqipëria. Për arsye të njëanshme të lojtarit, mund ta presë Gjermaninë ose diçka tjetër, për këtë arsye nuk është thërritur. Por, çdo lojtar shqiptar që është në kampionatet e Evropës që luan dhe ka nivel për ekipin kombëtar, është i kontaktuar 100 % nga ne”, u shpreh Bushi në konferencë për shtyp sot.
