Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se “do të ishte naive të besohej se protestat e opozitës janë protesta spontane që nuk kanë të bëjnë me asnjë shërbim të huaj”.
“Demonstratat e dhunshme të opozitës janë të drejtuara kundër shtetit, jo kundër qeverisë. Por, të gjithë duhet ta dinë – Serbia nuk është një grusht tërshërë, që të ushqehet çdo sorrë. Ne dimë të ruajmë paqen dhe stabilitetin, dimë ta ruajmë vendin dhe do ta bëjmë”, ka thënë Vuçeviq, i cili është edhe ministër serb i mbrojtjes, transmeton Paparaci.
Ai ka thënë se qeveria e re do të formohet brenda afatit të përcaktuar me ligj.
“Kjo është një qeveri që duhet të punojë me kapacitet të plotë dhe me mandat të plotë. Prandaj nuk ka nevojë për zgjidhje të ngutshme, por me siguri do të respektojmë të gjitha procedurat, si çdo herë deri tani, dhe Serbia do të ketë qeverinë më të mirë të mundshme, e cila do ta mbrojë vendin në këto kohë plot sfida globale”, ka thënë Vuçeviq.
Ai gjithashtu ka thënë se do të jetë në pozitën që i ka caktuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe “do ta bëjë punën e tij me përkushtim”, duke shtuar se “dëshiron t’i shërbejë Serbisë dhe asgjë tjetër”.
Ai si zakonisht përmendë edhe “rrezikun” që vjen nga Kosova, me të cilat fraza boshe regjimi aktual shpreson ta mbajë nën kontroll publikun serb.
“Kërcënimi më i madh është synimi i Kurtit për të dëbuar të gjithë serbët nga Kosova. Ne nuk do ta lejojmë ta bëjë këtë, dhe kjo është e qartë edhe për të edhe për “shefat” e tij. Një rrezik tjetër me të cilin përballemi është synimi i Kurtit për të na futur në një luftë të re kundër aleancës së NATO-s. Por ne nuk do të biem në këtë kurth”, ka thënë Vuçeviq./Paparaci.com
